Autoritetet austriake kanë identifikuar 33-vjeçaren Kerstin Gurtner si gruan që ngriu për vdekje në malin më të lartë të Austrisë , Grossglockner, dhe partneri i saj, 39-vjeçari Thomas Plamberger, tani akuzohet për vrasje të paqëllimshme.

Gurtner, e cila e përshkroi veten në internet si një adhuruese e dimrit dhe maleve, ishte një alpiniste e papërvojë.


Partneri i saj, Plamberger, një alpinist me përvojë, dyshohet se e çoi atë në një ngjitje të rrezikshme nate në një lartësi prej 3,657 metrash në temperatura nën zero, për të cilat ajo nuk ishte e përgatitur.

Trupi i saj u gjet më pak se 45 metra larg majës.

Zyra e prokurorit publik të Innsbruck beson se Plamberger, si organizator i ngjitjes, ishte përgjegjës për sigurinë e saj.

“Ai e la të dashurën e tij të pambrojtur, të rraskapitur dhe të çorientuar rreth 50 metra poshtë majës së Grossglockner. Gruaja ngriu për vdekje. Meqenëse i pandehuri, ndryshe nga e dashura e tij, kishte tashmë shumë përvojë me turne alpine në lartësi të mëdha dhe e kishte planifikuar turin, ai u konsiderua si një guidë turistike përgjegjëse", tha zyra e prokurorit në një deklaratë.

Gjatë ngjitjes fatale, temperaturat ranë në rreth minus 20 gradë Celsius.

Prokurorët thonë se Plamberger nuk kërkoi ndihmë edhe kur panë një helikopter policie aty pranë.

Hetuesit thonë se ai nuk bëri thirrjen e tij të parë emergjente deri në mëngjes.

Sipas aktakuzës, vetëm 30 minuta më vonë, ai e braktisi Gurtner në shpatin e akullt.

Raportohet se avokati i Plamberger, Kurt Jelinek, i mohon akuzat.

Në një deklaratë, ai e quajti vdekjen e Kerstin Gurtner një "aksident tragjik dhe fatal".

Gjyqi është planifikuar të fillojë në shkurt. Nëse dënohet për vrasje të paqëllimshme, Plamberger përballet me deri në tre vjet burg. /Telegrafi/