Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kryetari Shaqir Totaj ka emëruar Shpresa Muratin nga Koalicioni Vakat në funksionin e drejtoreshës për Punë dhe Mirëqenies Sociale.

Në njoftim thuhet se Murati sjell me vete një përvojë të pasur si aktiviste politike, me një kualifikim të lartë në hartimin e analizave strategjike, përgatitjen e politikave publike dhe menaxhimin e komunikimit politik.


"Përvoja e saj e gjerë dhe angazhimi në shërbim të interesave të qytetarëve janë premisa për një menaxhim të suksesshëm të DPMS-së, që do t’i përforcojë përpjekjet për realizimin e politikave efektive, të cilat janë në shërbim të interesit publik. I dëshiroj mirëseardhje znj. Murati dhe punë të mbarë në këtë mision fisnik, që qëllim permanent ka lehtësimin e jetës së qytetarëve të Komunës sonë", është shprehur Totaj, raporton Telegrafi.

Funksioni i drejtorit të DPMS-së pat mbetur vakant prej disa javësh, pasi Rasim Demiri ka dhënë dorëheqje, me qëllim që të marrë postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/