LAJMI I FUNDIT:

Times of Israel: Kosova po e kopjon Izraelin, dëshiron të bëhet komb me biznese të reja inovative

Times of Israel: Kosova po e kopjon Izraelin, dëshiron të bëhet komb me biznese të reja inovative

Arta Shehu Zaimi, bashkë-themeluesja e Labbox dhe jCoders Academy, u mëson fëmijëve prej moshës 8 vjeçe bazat e kodimit kompjuterik dhe robotikës. Sot, ajo drejton pesë qendra në Kosovë me më shumë se 1.000 studentë.

Ndërsa kompania e Rron Cenës, “Formon”, prodhon printerë 3D dhe i shet ata për vetëm 599 euro.

Gjithashtu, platforma Akademia – e themeluar nga sipërmarrësi Besart Kunushevci – është një program që përdor algoritme për të zbuluar plagjiaturën.


Dhe, siç shkruan The Times of Israel, përcjell Telegrafi, këto tre kompani të suksesshme kanë një gjë të përbashkët: të gjitha filluan jetën në Qendrën Kosovare për Inovacion (ICK) – një kompleks i teknologjisë së lartë në kryeqytetin e një vendi të vogël ballkanik, që njihet më shumë për luftërat e kaluara dhe grindjet etnike.

Siç shkruan tutje ky medium, misioni i ICK-së është të krijojë vende pune dhe prosperitet biznesi në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe të sektorit “energji e gjelbër” të Kosovës përmes inovacionit, sipërmarrjes dhe investimeve – është pjesë e përpjekjes së Kosovës për të imituar Izraelin dhe të bëhet vendi i parë “startup” i Ballkanit.

“Duke pasur parasysh potencialin e pashfrytëzuar të rinisë sonë, kjo qendër është bërë një shtëpi për shumë të rinj që e shohin atë si një mundësi për të zhvilluar idetë e tyre në biznese të qëndrueshme”, ka thënë Uranik Begu, drejtor i ICK. “Në thelb, ata na vijnë me një ide, dhe u ofrojmë shërbime dhe programe të përshtatura për t’i ndihmuar ata të përshpejtojnë bizneset e tyre”.

Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK (Larry Luxner)

I vendosur në një ndërtesë në qendër të Prishtinës, ICK shpesh organizon vizita të huaja të tilla si ajo e një delegacioni të biznesit të SHBA, i cili kaloi katër ditë në Kosovë muajin e kaluar.

Institucioni hapi dyert në vitin 2012 me fonde fillestare nga qeveria norvegjeze. Shtatë vjet më vonë, tani është një nga shpërndarësit kryesorë të fillimit të inovacionit kudo në Ballkan.

Rreth 250 vetë punojnë në ICK. Rreth 40,000 njerëz morën pjesë në 360 ngjarje të qendrës – vitin e kaluar dhe 70,000 njerëz hynë në ndërtesën e kompanisë për një arsye ose një tjetër. Mosha mesatare e atyre vizitorëve: 23 vjeç.

Po sipas The Times of Israel, ICK vepron në një buxhet vjetor prej rreth 400,000 eurosh. Suedia është financuesi kryesor i saj, edhe pse merr fonde nga BE, ambasada gjermane dhe amerikane në Prishtinë dhe Ministria e Inovacionit të Kosovës.

Qendra thotë se është përgjegjëse për zhvillimin dhe lansimin e më shumë se 400 produkteve dhe mbi 170 bizneseve të reja të regjistruara si ZagApps, Solaborate, Gjirafa.com e ZombieSoup.

Ajo ka krijuar gjithashtu më shumë se 1,000 vende pune dhe ka fituar 30 çmime duke përfshirë NASA Space Apps Challenge. Komuniteti online i ICK-së krenohet me më shumë se 130.000 ndjekës.

Por Kosova, e cila deklaroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, po vuan ekonomikisht. Shkalla e papunësisë tejkalon 30% dhe pavarësisht rritjes së GDP prej 4.5% këtë vit, është ende një nga vendet më të varfra në Evropë, me pagë mesatare prej vetëm 200 euro në muaj, krahasuar me 2,000 euro në muaj për të gjithë BE-në.

“Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, por rinia jonë ka mundësi të kufizuara që jetojnë këtu”, ka thënë tutje Begu për Times of Israel.

Admirimi i Begut për Izraelin nuk ka ardhur rastësisht, shkruan ky medium. Më parë këtë vit, ai u ftua në një vizitë dy-ditore në shtetin hebre nga Kolegji i Inxhinierisë Azrieli i Jerusalemit. Ai gjithashtu u takua me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Izraelit përgjegjës për Ballkanin dhe i përshkroi ata si “shumë mikpritës” dhe të hapur për bashkëpunimin dypalësh, pavarësisht mungesës së lidhjeve diplomatike. /Telegrafi/