Tifozit që qëndronte si statujë gjatë gjithë ndeshjes iu dhurua një makinë - ai do të ketë takim edhe me presidentin e Kongos

Tifozi nga Republika Demokratike e Kongos, Kuku Muladinga, u shndërrua në një nga figurat më ikonike të Kupës së Kombeve të Afrikës, falë mënyrës së veçantë me të cilën i ndoqi ndeshjet e përfaqësueses së vendit të tij.
Muladinga u pa gjatë gjithë turneut duke qëndruar në të njëjtin pozicion për gjithë ndeshjen, pa lëvizur, ndërsa tifozët përreth këndonin, kërcenin dhe brohoritnin pa pushim. Pamjet e tij u bënë virale dhe u shndërruan në simbol të përkushtimit dhe besimit të palëkundur te kombëtarja kongoleze.
Vetëm një gol i pësuar në fund të kohës shtesë në çerekfinale e prishi këtë ritual, duke sjellë eliminimin e RD Kongos nga turneu pas humbjes ndaj Algjerisë.
AFCON fans are built different 🏆🌍
DR Congo supporter Kuka Muladinga stands still like this during matches!
He's paying tribute Patrice Lumumba, the country's first Prime Minister 🇨🇩#AFCON2025 #TotalEnergiesAFCON2025 pic.twitter.com/q9IzxwN4Px
— DW Sports (@dw_sports) December 31, 2025
Pavarësisht eliminimit, pasioni i Muladingës u vlerësua në mënyrë të veçantë. Ministri i Sportit, Didier Budimbu, i dhuroi atij një veturë xhip, në emër të presidentit të vendit, si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tij të zjarrtë dhe ndikimin pozitiv që pati tek opinioni publik.
Mediat britanike raportojnë gjithashtu se Muladinga pritet të ketë së shpejti edhe një takim privat me presidentin, një tjetër formë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm gjatë turneut.
Gjestet simbolike dhe paraqitja e tij publike u interpretuan si një homazh për Patrice Lumumbën, bashkatdhetarin më të famshëm dhe udhëheqësin e luftës për pavarësinë e Republikës Demokratike të Kongos nga sundimi kolonial belg.
Lumumba u bë kryeministri i parë i Kongos së pavarur, por u vra në vitin 1961, në moshën vetëm 36-vjeçare, pas një grushti shteti ushtarak – një figurë që vazhdon të frymëzojë breza të tërë në Kongon moderne. /Telegrafi/





















































