Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Duhet të jesh afërsisht në mesin e të pesëdhjetave ose më i madh për të qenë në moshën me të drejtë votimi gjatë periudhës së Margaret Thatcherit si kryeministre. Vetëm një e treta e atyre prej nesh që janë gjallë sot ishin të rritur kur ajo më në fund u largua nga Kryeministria [Downing Street] në nëntor 1990. Edhe më e vogël është përqindja e atyre që kujtojnë 11 vjetët që Thatcher kaloi në Kryeministri.


Për të paktën dy të tretat e britanikëve, Thatcher është një emër nga e kaluara dhe asgjë më shumë. Fakti se do të kishte mbushur 100 vjet të hënën që vjen, kjo vetëm thekson hendekun e madh që tashmë e ndan epokën e saj nga e tanishmja. Por, ky qindvjetor mund të jetë gjithashtu një moment i dobishëm. Mund të ofrojë një mundësi bashkëkohore për të reflektuar mbi atë që ajo vërtet përfaqëson - dhe nuk përfaqëson - për Britaninë moderne.

Kjo duket më e vështirë në disa mënyra për ne që e kujtojmë atë. Ishim të prirë të merrnim anë. Mbështetësit mendonin se Thatcheri nuk mund të bënte asnjë gjë të gabuar. Kundërshtarët mendonin se ajo nuk mund të bënte asgjë të mirë. Nuk është për t’u befasuar që e vërteta është më e nuancuar, më komplekse dhe interesante - siç mund ta dëshmoj nga dy herët që e kam intervistuar shkurtimisht (njëherë, çuditërisht, në operën e Kievit).

Si subjekt studimi, Thatcher nuk ka pasur shumë favore as nga ata që e adhurojnë, as nga ata që e kritikojnë ashpër. Duke i dëgjuar të dyja palët, është e dobishme të kemi parasysh se zonja që në publik nuk pranonte të bënte kthesën 180 shkallë, ishte gjithashtu zonja që privatisht mendonte gjatë e thellë për të bërë ndryshime të mëdha në udhëheqje. Për shembull, mbretëresha luftarake që refuzoi të bënte kompromis me grevistët e urisë së IRA-s, në fillim të viteve ’80 të shekullit XX, ishte gjithashtu një Thatcher që autorizoi bisedimet e fshehta me IRA-n dhe që lejoi kabinetin e saj të debatonte për bashkimin e Irlandës.

Por, betejat individuale që Thatcher zhvilloi në vitet ‘80 të shekullit XX tani i përkasin kryesisht të kaluarës. Bota ka ecur përpara. Nga kjo distancë, ajo që ka rëndësi nuk është vetë Thatcher, sado e jashtëzakonshme që ishte, por më shumë ndikimi i saj.

Ndikimi i saj është i vështirë për t’u harruar, por rrallëherë pranohet plotësisht. Secili prej nesh jeton në një vend të shënuar më thellë nga Thatcher sesa nga çdo politikan tjetër i epokës së pasluftës. Edhe sot ajo është pjesë e arsyes pse nuk arrijmë të balancojmë financat kombëtare dhe pse politikanët kanë kaq shumë frikë nga ndryshimet në taksa. Ajo është pjesë e arsyes pse jemi ende kaq të ndarë dhe në mënyrë kaq të dëmshme për Evropën. Megjithatë, ajo është gjithashtu pjesë e arsyes pse e marrim seriozisht krizën klimatike, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, është pjesë e arsyes pse lumenjtë dhe liqenet tona janë kaq të ndotura.

Aspekti më i rëndësishëm i trashëgimisë së saj ishte gjithmonë vendosmëria për të folur në emër të biznesit - të vogël dhe të madh - kundrejt shtetit. Ajo e shihte ndërmarrësinë dhe taksat e ulëta si themelin e një shoqërie të suksesshme dhe, gjatë viteve të saj në pushtet, nuk u largua kurrë nga kjo bindje. Ajo donte të shkurtonte shpenzimet e qeverisë dhe të zvogëlonte rolin e saj në të gjitha fushat, përveç sigurisë kombëtare. Është e lehtë të harrohet se kur ajo erdhi në pushtet në vitin 1979, pikëpamja e saj ishte pothuajse kryengritëse. Kur u largua në vitin 1990, ajo ishte bërë urtake. Në shumë mënyra, ende është.

Pjesë të tjera të trashëgimisë së saj gjithashtu ndihmojnë për të vërtetuar pikëpamjen e Hugo Youngut (i cili ka shkruar për të më mirë se kushdo tjetër) se karriera e saj ofron dëshmi të qarta se individët kanë rëndësi në histori. Thatcher nuk ishte një libertariane, por ajo la një trashëgimi individualiste. Ajo mendonte se familja dinte më mirë se zyrtari në Qeveri [Whitehall] - dhe në bashkitë e qytetit e të qarkut gjithashtu - se çfarë ishte më e mirë për ta. Ajo e ndryshoi sistemin e strehimit për të nxitur pronësinë e banesave në mënyrat që ende e deformojnë tregun e banesave dhe vendimet e planifikimit sot - si dhe politikën zgjedhore.

Sidoqoftë, në vitet pas rënies së Thatcherit më 1990, deri në vdekjen e saj në vitin 2013, shumë prej admiruesve të saj besonin se ajo ishte një dritë udhëzuese për atë që duhej të ndodhte më pas. Ajo nuk kishte bërë thjesht gjëra të mëdha radikale, besonin këta ndjekës. Ajo gjithashtu kishte përcaktuar agjendën për ata që do të vinin pas. Funerali i Thatcherit në Katedralen e Shën Palit, ku isha i pranishëm, ishte një përpjekje për ta paraqitur atë si një Churchill i dytë. Ajo nuk ishte kurrë një i tillë. Por, ishte gjithashtu një përpjekje për të pretenduar se revolucioni thaçerian ishte tashmë realiteti i pranuar i Britanisë moderne.

As kjo nuk ishte e vërtetë. Ajo që ishte e vërtetë ishte se Thatcher dhe thaçerizmi kishin ofruar një grup përgjigjesh në një kohë të caktuar - në fund të një periudhe të mbushur me kriza - për probleme endemike që përballojnë të gjitha shtetet moderne. Ndër më të mëdhatë prej këtyre problemeve ishin reforma e efikasitetit të sektorit publik dhe e efektivitetit të kostos, si dhe kërkimi për një ekuilibër me virtyte shoqërore dhe ekonomi kreative mes sektorit privat dhe atij publik.

Megjithatë, Thatcher nuk zgjidhi asnjë nga këto probleme. Në disa mënyra, ajo i bëri ato më të vështira. Laburistët e Rinj duhej të përballeshin shpejt me to në mënyra të reja. Kur ajo vdiq në vitin 2013, qeveria e koalicionit e David Cameronit tashmë po përballej sërish me to. Të njëjtat probleme kanë rezultuar po aq të pazgjidhshme dhe përgjigjet mbeten po aq të pakapshme. Edhe Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe tani Keir Starmer janë përballur me to.

Pra, mësimi nga Thatcheri në 100-vjetorin e saj nuk është se gjithçka nga trashëgimia e saj duhet të zhbëhet derisa të rizbulojmë “kodrat me diell” të viteve para Thatcherit. Kjo do të përfundonte në lot. Por, as nuk është se ajo disi mban çelësin për të zgjidhur problemet e Britanisë. Forma e saj e udhëheqjes është e papërsëritshme.

Ajo as nuk mund t’i zgjidhë problemet e Partisë Konservatore. Statusi ikonik i Thatcherit bëri që Kemi Badenoch ta kujtonte trashëgiminë e saj. Por, Badenoch është thjesht udhëheqësja më e fundit konservatore që nuk arrin të shohë atë që është haptas para syve për partinë - dhe gjithashtu për vendin. Thatcher nuk është zgjidhja. Në shumë mënyra, ajo është ende problemi. /Telegrafi/