LAJMI I FUNDIT:

Rikthehet ngrohja qendrore për Prishtinën, nis punën blloku B1 në KEK

Rikthehet ngrohja qendrore për Prishtinën, nis punën blloku B1 në KEK

Termokos njofton se sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar furnizimin e rregullt me ngrohje të Prishtinës.

Sipas ndërmarrjes, deri në mesditë pritet stabilizim i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme.

Gjatë të martës, Termokos kishte ndërprerë ngrohjen në kryeqytet, për shkak mungesës së furnizimit me avull në sistemin e ngrohjes nga Korporata Energjetike e Kosovës.


Po ashtu, KEK ka njoftuar se pas sanimit të rrjedhjes në kaldajë njësia B1 e termocentralit “Kosova B” është lëshuar në punë.

“Sot në mëngjes, në ora 08:10, Termokosi ka filluar të furnizohet me energji termike (avullin) nga ‘Kosova B’ për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës. Në KEK, aktualisht janë në punë të tri njësitë aktive të ‘Kosova A’ (A3, A4 dhe A5) dhe njësia B1 në ‘Kosova B’ me kapacitet të prodhimit prej rreth 650 MW/h energji elektrike”, njofton KEK.

Pas kësaj ndërprerje kishte reaguar edhe kryetari Përparim Rama, duke thënë se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm.

“Duke ju kërkuar mirëkuptim, ju siguroj se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që varen nga ne”, ka reaguar Rama.

KEK-u gjatë të mërkurës ka njoftuar se ndërprerja me ngrohje është bërë për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull të Termokosit, duke shtuar se problemi ka qëndruar në njërën njësi të termocentralit “Kosova B”. /Telegrafi/