Termokos zgjeron rrjetin e ngrohjes për banorët e Lakrishtes

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Termokos”, Kastriot Bllaca, ka inspektuar sot punimet që po zhvillohen në kuadër të zgjerimit të rrjetit të ngrohjes për disa objekte banesore në lagjen “Lakrishte”, përcjell Telegrafi.
Gjatë vizitës, Bllaca është njoftuar nga përfaqësuesit e kompanisë punëkryese për dinamikën e punimeve si dhe për sfidat e hasura gjatë shtrirjes së tubacioneve të ngrohjes.
Ai ka ofruar mbështetjen e tij për tejkalimin e vështirësive dhe ka shprehur kënaqësinë që po krijohen parakushtet për furnizimin me ngrohje edhe të kësaj pjese të kryeqytetit.
Zgjerimi i rrjetit të ngrohjes në Lakrishte pritet të lehtësojë qasjen e banorëve në shërbimet e Termokosit, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së jetesës dhe efikasitetin energjetik në kryeqytet. /Telegrafi/


















































