Tërmeti në Turqi, Ambasada e Kosovës aktivizon linjat emergjente për bashkatdhetarët

Një tërmet me magnitudë 6.1 shkallë Rihter ka goditur mbrëmjen e së hënës rrethin e Sındırgı në qytetin Balikesir të Turqisë, duke shkaktuar panik në mesin e banorëve dhe dëme materiale në disa ndërtesa.
Sipas autoriteteve turke, tërmeti është regjistruar në orën 22:48 të mbrëmjes, me epiqendër në rajonin jugperëndimor të vendit. Lëkundjet janë ndjerë fort edhe në Stamboll, Izmir, Bursa, Manisa, Kocaeli, Tekirdağ dhe Sakarya, si dhe në zonat përreth.
Deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit dhe emergjencës janë vendosur në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar qytetarët e prekur.
Autoritetet vendore kanë bërë thirrje që banorët të qëndrojnë larg ndërtesave të dëmtuara ose të pasigurta, ndërsa u kërkohet të ndjekin me kujdes udhëzimet e shërbimeve të emergjencës.
Në një reagim për qytetarët kosovarë që ndodhen në Turqi, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka bërë të ditur se po ndjek nga afër situatën dhe ka publikuar kontaktet e saj për raste urgjente.
Qytetarët mund të kontaktojnë në numrin +90 542 711 80 99 ose në adresën elektronike embassy.turkey@rks-gov.net.
Ndërkohë, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Stamboll është gjithashtu në dispozicion në numrin +90 531 105 63 91 dhe në adresën consulategeneral.ist@rks-gov.net.
Sipas të dhënave fillestare të Agjencisë Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive (AFAD), pritet që gjatë orëve në vijim të ketë paslëkundje të lehta, ndërsa ekipe të shumta janë dislokuar për të kontrolluar zonat më të afërta me epiqendrën e tërmetit.
















































