Tërheqja, degradim më i madh se para ndërhyrjes

“Realisht është ditur që nuk është veprim i lehtë për arsye të ndërhyrjes së politikës së Beogradit në vazhdimësi me anë të instrumenteve institucional të politikës shoviniste që e ka Beogradi. Vet prezenca e Borko Stefanovicit dhe ministrit të ashtuquajtur për Kosovën ka treguar se ata janë të involvuar drejtpërdrejtë në rrezikimin e sigurisë së qytetarëve atje dhe po ashtu në shantazhimin dhe frikësimin e qytetarëve në veriun e Kosovës”, ka deklaruar nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai ka pohuar se veprimi i institucioneve tona ka qenë që të vihet rendi dhe ligji, të funksionojë normalisht jeta e qytetarëve dhe t’i përmbushim standardet të cilat kërkohen nga BE-ja dhe po ashtu një nga arsyet pse është dashur të bëhet një veprim i tillë është edhe raporti i progresit i cili do të kishte folur për sukseset dhe të arriturat në zbatimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.
Ai thotë se tërheqja eventuale e qeverisë nga vendimi për të vënë kontroll në pikat doganore do të ishte degradim më i madh sesa gjendja para ndërhyrjes.
“Konsiderojmë që çdo tërheqje një hap prapa do t’i kushtonte shumë Kosovës dhe do të bënte degradim më shumë sesa që ka qenë para kohës kur është ndërhyrë në veriun e Kosovës. Duhet të funksionojmë si shtet dhe duhet që të gjitha ministritë e qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet të kenë programe të veçanta për veriun në mënyrë që atje të mos pretendohet vetëm sundimi i ligjit dhe mbajtja e rendit, por atje të jetë një jetë normale e qytetarëve duke investuar në atë pjesë të territorit të Kosovës, sepse pa një angazhim të plotë të qeverisë, institucioneve tjera, parlamentit dhe instrumentet institucionale e shtetërore atëherë do të kemi mangësi në veprim”, është shprehur Isufi. /Telegrafi/


















































