Çdo familje ka vlerat e veta që ua përcjell fëmijëve të saj - përmes mënyrës se si flasim, tregojmë histori dhe lidhemi me të tjerët. Fëmijët mësojnë gjithmonë duke vëzhguar sjelljen e prindërve të tyre, reagimet dhe marrëdhëniet e tyre, prandaj është e rëndësishme që të rriturit të jenë të vetëdijshëm për mesazhet që ata përcjellin.

Prindërit që e dinë se çfarë është e rëndësishme për ta dhe e demonstrojnë vazhdimisht këtë përmes veprimeve të tyre të përditshme kanë ndikimin më të madh në suksesin e fëmijëve të tyre, pohon terapisti dhe këshilltari David McFadden.


Ai theksoi disa mësime jetësore që fëmijët më të suksesshëm i mësojnë nga prindërit e tyre.

Etikën e punës

Fëmijët që kanë sukses i mësojnë zakonet e punës që në moshë të vogël - ata marrin pjesë në punët e shtëpisë, kujdesen për përgjegjësitë e tyre dhe e kuptojnë rëndësinë e përpjekjes. "Në këtë mënyrë, ata zhvillojnë një ndjenjë përgjegjësie dhe pune në grup që më vonë bëhet themeli i suksesit", shpjegon terapisti për YourTango.

Kujdesin për njëri-tjetrin

"Fëmijët e suksesshëm rriten me vetëdijen se familja është e rëndësishme dhe se anëtarët duhet ta mbrojnë dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Empatia dhe kujdesi për të tjerët nxisin një ndjenjë lidhjeje dhe sigurie që formëson stabilitetin e tyre emocional", thotë McFadden.

Respektin

Të mësosh respektin do të thotë të vlerësosh njerëzit e tjerë dhe të pranosh ndryshimet. Fëmijët që mësojnë të tregojnë respekt kanë më shumë gjasa të kuptojnë nevojat e të tjerëve, të komunikojnë më mirë dhe të krijojnë marrëdhënie më të shëndetshme, pohon terapisti.

Sinqeritetin

"Kur prindërit inkurajojnë sinqeritetin dhe e jetojnë vetë atë, fëmijët mësojnë se sa e rëndësishme është e vërteta në jetën e përditshme. Sinqeriteti ndërton besim dhe besimi forcon të gjitha marrëdhëniet - si brenda familjes ashtu edhe më gjerë", thekson McFadden

Përgjegjësinë

Përgjegjësia i ndihmon fëmijët të zhvillojnë vetëbesim, këmbëngulje dhe një ndjenjë kontrolli mbi jetën e tyre. Kur e dinë se sjellja e tyre ka rëndësi, ata mësojnë të marrin vendime më të mira dhe të pranojnë pasojat.

Traditën

Traditat familjare u japin fëmijëve një ndjenjë përkatësie dhe vazhdimësie. Terapisti thekson: "Qofshin festa, mbledhje familjare apo rituale të veçanta, këto kujtime forcojnë lidhjen dhe identitetin e tyre

Kuriozitetin

"Fëmijët e suksesshëm nuk ndalen kurrë së mësuari dhe së bëri pyetje. Prindërit që inkurajojnë kuriozitetin u hapin hapësirë fëmijëve për të eksploruar, menduar dhe zbuluar botën vetë", thotë McFadden.

Komunikimin efektiv

"Komunikimi është themeli i çdo marrëdhënieje të suksesshme. Fëmijët që mësojnë të shprehin qartë mendimet dhe nevojat e tyre i zgjidhin problemet më lehtë, ndërtojnë vetëbesim dhe arrijnë sukses në jetë", përfundoi terapisti.