Tentim shmangie nga kontrolli në Leposaviq, policia përdor armën

Një ngjarje e tensionuar ka ndodhur gjatë patrullimit të përbashkët mes Policisë Kufitare dhe forcave KFOR në Leposaviq, ku një veturë pa targa me dy persona të dyshuar ka tentuar të shmanget nga kontrolli policor.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45, kur njësiti policor ka tentuar të ndalojë automjetin e dyshuar, por drejtuesi i tij nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve të rendit.
Për shkak të mosbindjes dhe tentimit për t’i shpëtuar kontrollit, njëri nga zyrtarët policor ka përdorur armën zyrtare në mënyrë të kontrolluar, pa shkaktuar të lënduar.
“Për rastin është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ndërsa i dyshuari është ndëshkuar me dy fletëparaqitje tiketë nga gjyqtarja kompetente,” thuhet në raport. /Telegrafi/





















































