Një bisedë telefonike e tensionuar mes JD Vance dhe Netanyahu nxori në pah një mosmarrëveshje në rritje midis Uashingtonit dhe Izraelit mbi supozimet lidhur me luftën.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë filluan të dyshonin se disa anëtarë të qeverisë izraelite po përpiqeshin të njollosnin zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance pas një bisede të vështirë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.


Gjatë bisedës, Vance përmendi se disa nga parashikimet e Netanyahut për luftën ishin shumë optimiste, veçanërisht sa i përket mundësisë së një kryengritjeje popullore për rrëzimin e regjimit, sipas një burimi izraelit dhe një burimi amerikan, shkruan axios.

“Para luftës, Bibi ia shiti presidentit idenë se gjithçka do të ishte e lehtë, dhe se ndryshimi i regjimit ishte shumë më i mundshëm sesa në të vërtetë. Dhe zëvendëspresidenti ishte i qartë për disa nga ato deklarata”, tha burimi amerikan.

Një ditë pas bisedës telefonike, një gazetë izraelite me orientim të djathtë, e cila i përket donatores së madhe të Partisë Republikane, Miriam Adelson, raportoi se Vance i kishte bërtitur Netanyahut për çështjen e dhunës së kolonistëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Ndryshe, gjatë përgatitjeve për luftë, Vance ishte një nga zërat më skeptikë brenda administratës amerikane, duke ngritur pyetje mbi kohëzgjatjen, qëllimin dhe ndikimin e saj mbi rezervat e municioneve të SHBA-së.

Megjithatë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump vendosi të hyjë në luftë, Vance mbështeti përdorimin e forcës së jashtëzakonshme për të arritur fitoren sa më shpejt të jetë e mundur. /Telegrafi/