Teknologji dhe surpriza në Augsburg: Wagner nis revolucionin me iPad, dronë dhe ekran gjigant në vlerë 100 mijë euro

Në fillim të sezonit të ri, lojtarët e FC Augsburg u përballën me një surprizë të veçantë: secili prej tyre gjeti nga një iPad në dollapin e vet.
Sipas SPORT BILD, kjo ishte ideja e trajnerit të ri, Sandro Wagner, i cili synon të zbatojë një qasje moderne në përgatitjen e skuadrës.
Pajisjet u shpërndanë me qëllim që të përmirësohet analiza e stërvitjeve dhe ndeshjeve. Përmes iPad-ëve, lojtarët kanë akses në çdo moment në video të seancave stërvitore dhe ndeshjeve zyrtare, duke i ndihmuar të kuptojnë më mirë performancën e tyre dhe të korrigjojnë gabimet.
Me kërkesën e Wagnerit, klubi ka investuar edhe në një seri përmirësimesh teknologjike. Seancat tani filmohen nga një dron ajror dhe nga një sistem kamerash të teknologjisë së lartë, të instaluara në fushën stërvitore. Për më tepër, është vendosur edhe një ekran gjigant, me kosto prej 100,000 eurosh, që mundëson rishikimin në kohë reale të aksioneve gjatë stërvitjes.
Transformimi nuk ka ndodhur vetëm në fushë. Edhe zyra e trajnerit ka parë investime të reja – përfshirë një makinë kafeje premium, me vlerë 4,500 euro.
Kjo blerje, e miratuar nga drejtori menaxhues Michael Ströll, është parë si një detaj i vogël por i rëndësishëm për mirëqenien e stafit teknik.
Përmes këtyre lëvizjeve, Sandro Wagner po tregon vendosmërinë e tij për të ngritur nivelin e Augsburgut.
Me ndihmën e teknologjisë moderne dhe përmirësimeve infrastrukturore, synimi është të rritet cilësia e stërvitjes, të maksimizohet performanca e lojtarëve dhe të forcohet fryma e skuadrës. /Telegrafi/



















































