Një dasmë në fshatin Greme të Ferizajt është shoqëruar me të shtëna armësh, gjë që ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës.

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se më 02.08.2025, rreth orës 13:00, ka pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.


“Sipas informacioneve fillestare, të shtënat janë dëgjuar gjatë një dasme që po mbahej në fshatin Greme”, ka deklaruar Policia e Kosovës.

Njësitë policore të rendit, hetuesia dhe forenzika kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur 50 gëzhoja armësh në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit S.A., 57-vjeç.

Sipas Policisë, i dyshuari ka prezantuar dy armë zjarri: një revole dhe një pushkë gjuetie. Të dy armët, bashkë me gëzhojat, janë sekuestruar nga autoritetet.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, armët dhe gëzhojat janë sekuestruar, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm’”, thuhet tutje në komunikatë.

Pas intervistimit nga hetuesit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet në lidhje me rastin po vazhdojnë.