LAJMI I FUNDIT:

TË RINJTË

TË RINJTË

Poezi nga: Nichita Stanescu
Përktheu: Aurel Plasari

Puthen, ah, puthen, puthen
të rinjtë nëpër rrugë, nëpër bar-kafe, nëpër parmakë,
puthen pareshtur, athua se ata vetë
nuk janë veçse mbarimet
e puthjes.
Puthen, ah, puthen nëpër makinat që vozisin,
nëpër stacionet e metrosë, nëpër kinematë,
nëpër autobusë, puthen me dëshpërim,
me furi, athua se
në fund të puthjes, në mbarim të puthjes, mbas puthjes
nuk mbeten veçse pleqëria me recetë
dhe vdekja.
Puthen, ah, puthen të rinjtë e hajthëm
e të dashuruar. Aq të hajthëm, athua se
nuk e dinë ekzistimin e bukës në botë.
Aq të dashuruar, athua se
nuk e dinë ekzistimin e botës vetë.
Puthen, ah, puthen, athua se
janë në terr, në terrin më të sigurt,
athua se nuk i sheh askush, athua se
dielli do të vazhdojë të lindë
i ndritshëm
vetëm
mbasi gojët e shkatërruara së puthuri dhe të gjakosura
të mos jenë më në gjendje të puthen
veçse me dhëmbë.