Ekspozita tradicionale “Ditët e Fotografisë”, këtë vit do ta ndërrojë vendndodhjen duke u “shpërngulur” nga Pogradeci për në Tiranë, si e ftuar speciale e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air” që sivjet organizon edicionin e tij të tetë.

Ekspozita “Ditët e Fotografisë” është tematike, me titullin “Etno 2021”. Për kurator ka Ardian Fezollarin i cili ka përzgjedhur 13 artistë që përmes fotografisë i shpalosin vlerat etnografike të kostumeve nga mbarë trevat shqiptare – nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria dhe nga trojet e arbëreshëve të Italisë.

Fotografët pjesëmarrës në këtë ekspozitë, janë: Allmi Suka,  Ahmet Axhushi, Ardian Fezollari, Edison Miraka, Elvi Kote, Evis Imeraj, Fahredin Spahija, Florim Ibrahimaj, Orjeta Myzeqari, Mario Caliva, Salih Jonuzi, Saimir Ahmeti dhe Shkelzen Rexha.

“Etno 2021” do të përcillet me një katalog ekskluziv dhe do të hapet me 15 tetor, në orën 18.00, në ambientet përpara Akademisë së Arteve në Tiranë. /Telegrafi/

“Kostum tradicional i Hasit të Kosovës” (foto: Fahredin Spahija)