Të paktën një person ka humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë janë lënduar - disa në gjendje të rëndë - pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në Holandën perëndimore.

Shërbimet e urgjencës thonë se përplasja gjatë natës ndodhi pasi treni që transportonte rreth 50 persona goditi pajisjet e ndërtimit pranë fshatit Voorschoten, përcjell Telegrafi.


Raportet e mëparshme kishin thënë se kjo pasoi një përplasje me një tren mallrash.

Ndërkohë bëhet e ditur se ekipet e shpëtimit dhe mjekët po punojnë në vendngjarje, duke ndihmuar të lënduarit.

Përplasja ndodhi rreth orës 03:25 me orën lokale të martën.

Në përditësimin e tyre të fundit, shërbimet e urgjencës thonë se të plagosurit rëndë janë dërguar në spitalet e afërta, ndërsa 11 persona po trajtohen në shtëpitë e banorëve vendas.

Zyrtarët nga Bordi Holandez i Sigurisë, një organ që kryen hetime të pavarura për aksidentet, janë dërguar në vendin e aksidentit.

Voorschoten gjendet midis Hagës dhe Amsterdamit.

Gazeta NRC raportoi se si pasojë asnjë tren nuk po qarkullonte midis Hagës dhe Leiden për shkak të përplasjes. /Telegrafi/