LAJMI I FUNDIT:

“Te Fani” me Irfanin

“Te Fani” me Irfanin
Irfan Blakçori (foto: A. Sh.)

Në mesin e xhunglës urbane të lagjes “Dardania” në Prishtinë, gjendet kafeneja ‘Te Fani’. Si tarracë, kjo kafene ka një pjesë të gjelbëruar që mbulohet me degët e disa drunjve. Në mes është një bunar me disa tavolina përreth. Gjatë ditëve të verës, kur Prishtinën e kaplon vapa dhe ajri ngufatës dhe i ndotur, ky vend paraqet një oazë kënaqësie, sidomos në kohën e mbrëmjes.

Sapo uleshim afër bunarit, Irfan Blakçori vinte si era. Vinte për të na përshëndetur dhe respektuar që kishim shkuar në lokalin e tij. Vinte me lëvizje të shpejta, me buzëqeshje dhe plot jetë. Gjithçka niste me humor. Pastaj, biseda me karakter serioz kur flitnim për jetën e sotme dhe atë të dikurshme. Pastaj, Irfani largohej pasi që kishim qeshur derisa i mbanim brinjët nga tregimet dhe batutat e tij. Rreth bunarit dhe një muri të improvizuar të dërrasave që ndanin hapësirat e tavolinave, Irfani kishte vendosur një mori kapelash të llojllojshme të bejsbollit dhe gjësendeve tjera. Ishte vështirë të vendosje nëse ky veprim ishte art apo humor. E tillë ka qenë edhe një pjesë e jetës jomuzikore e Irfanit.


Pastaj, Irfani vinte me kitarë. Ia dinte rendin muhabetit dhe shoqërisë. Nuk e kishte shoqin në këtë drejtim. Fillonte të këndonte vetë. Të gjithë e shikonin me admirim mjeshtërinë e tij të lëvizjes së gishtave mbi tela që lironin tinguj të cilët ta vrasin indiferencën dhe qetësinë. Zëri i tij i veçantë nuk e lë rehat zemrën nga e cila fillojnë të dalin ndjenjat në sipërfaqe. Pas dy-tri këngëve, këndojnë të gjithë me Irfanin. Këngët e tija janë të njohura për të gjithë. Në këngët e tija qëndron historia e rinisë sonë. Në to është historia e dashurisë sonë. Askush nuk e ka zotëruar këtë histori në tinguj më mirë se Irfani.

Kënga e Irfanit bënte që kalimtarët të ndaleshin për të dëgjuar. Ata që në fillim nuk e njihnin, pas pak çastesh merrnin vesh, dhe mrekulloheshin. Zëri i tij, i shoqëruar me tinguj magjik të kitarës, me siguri mbërrinte në katet e larta të ndërtesave përreth dhe hapeshin dritaret. Dikush nga lart, me siguri, pa dashur ta pranojë, ka dëgjuar fshehurazi zërin e bukur të Irfanit që ilustronte momente të thyerjes së zemrave dikur. Askush nuk është jashtë këngëve të Irfanit. Të gjithë jemi në këto këngë duke e luajtur ndonjë rol të ndonjë episodi dashurie që nuk zbehet në kujtimet tona.

Irfani ka qenë maestro i vërtetë dhe i bënte lak jetës me muzikë. Ai ka qenë ndër të rrallët që ka sjellë kënaqësi e melankoli të pafund te të gjithë ata që dëgjojnë muzikë. Pasi që kënga ka qenë jeta e tij, me siguri i ka mbyllur sytë për t’u larguar nga kjo botë duke kënduar. /Telegrafi/