Të buzëqeshur pas fitores së madhe në Goteborg, treshja kosovare rikthehet te Hoffenheim

Pas përfundimit të angazhimeve me Kombëtaren e Kosovës në tetor, Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari janë rikthyer në Gjermani për t’u bashkuar me klubin e tyre TSG Hoffenheim, të mbushur me vetëbesim dhe moral të lartë.
Të tre futbollistët ishin pjesë e formacionit që shkroi histori në Goteborg, ku Kosova mposhti Suedinë me rezultat 0-1. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi pikërisht Fisnik Asllani, i cili vulosi një nga fitoret më të mëdha të Dardanëve në arenën ndërkombëtare.
Në atë takim, Asllani, Avdullahu dhe Hajdari ishin titullarë, duke dhënë kontribut të madh në suksesin historik.
Në ndeshjen e parë të muajit tetor, barazimin ndaj Sllovenisë (0-0) në “Fadil Vokrri”, trajneri Franco Foda aktivizoi Albian Hajdarin dhe Leon Avdullahun nga minuta e parë, ndërsa Asllani u inkuadrua në pjesën e dytë për të freskuar repartin ofensivë.
Pas këtyre dy paraqitjeve fantastike me fanellën e Kosovës, treshja e Hoffenheimit tashmë është kthyer në stërvitje me klubin gjerman, ku janë figurat kryesore e skuadrës nga Bundesliga.
Kjo treshe dardane pritet të jetë titullare për Hoffenheim në sfidën ndaj St Paulit në fundjavë. /Telegrafi/




















































