Nga: Michael Goodwin / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com

Pothuajse që nga dita kur Donald Trumpi hyri në arenën politike, mediat tradicionale kanë qenë të përkushtuara për ta paraqitur atë si një luftënxitës impulsiv që fillimisht do të qëllonte dhe pastaj do të shtronte pyetje.


Ata sapo e bënë këtë përsëri, duke ofruar një shembull tjetër se si mediat e mëdha dhe sensacionale mbeten mbretërit e padiskutueshëm të dezinformimit.

Qasja e tyre e zakonshme është të sigurohen që faktet të mos pengojnë kurrë asnjë temë të diskutimit e demokratëve.

Nëse kjo nënkupton se ndonjëherë duhet të këndojnë në sinkron me armiqtë e Amerikës, ashtu qoftë.

Mashtrimet e tyre kanë qenë në qendër të vëmendjes në kthesën e fundit të mosmarrëveshjes afatgjate midis Uashingtonit dhe mullahëve të çmendur të Iranit.

Ndonjëherë është e vështirë të gjesh ndonjë ndryshim të madh midis mënyrës se si mediat amerikane dhe Ajatollah Ali Khamenei e përshkruajnë Trumpin.

Për të dy palët, presidenti është gjithmonë problemi.

Sikur ata të kishin pasur të drejtë këtë herë, tani do ta dëgjonim Trumpin duke dhënë komandën për “hedhur bombat” mbi Teheran.

- Lexo po ashtu nga Michael Goodwin: Përdorimi i ushtrisë për ndryshim të regjimit në Iran do të jetë i rrezikshëm - mos e shndërroni në një Irak tjetër

Në vend të kësaj, ai të premten pasdite ishte në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë, duke falënderuar në mënyrë të theksuar mullahët të cilët nuk e përmbushën zotimin e tyre për të ekzekutuar qindra të burgosur politikë të arrestuar gjatë protestave.

“Irani anuloi varjen e mbi 800 personave”, tha Trumpi duke shtuar se ai e “respektoi shumë” këtë veprim.

Për ata me mendje të ndershme dhe të hapur, ngjarjet luhatëse të javës ilustruan se si dashuria e Trumpit për të folur për fuqinë ushtarake të Amerikës është shpeshherë kërcënim i qëllimshëm.

Krekosja, kësaj here dhe shpeshherë, shërben si ftesë për negociata ose është aq bindës saqë ai merr shumicën e asaj që dëshiron pa qenë nevoja të qëllojë asnjë plumb.

"E binda veten"

Ndërsa java filloi, skenat në Iran dukeshin si zjarr me alarm emergjent.

Me mullahët që po masakronin qytetarët e tyre për krimin e protestës kundër një ekonomie që po shembet, thirrjet që Amerika të ndalojë këtë po bëheshin më të forta dhe Trumpi ishte i gatshëm.

Ai dha çdo shenjë se ushtria jonë ishte e përgatitur, e pajisur dhe gati për të vepruar.

Në një postim të tensionuar të martën, në Truth Social, ai tingëlloi i gatshëm për të ndërmarrë veprime me premtimin e tij për demonstruesit trima se “ndihma është në rrugë e sipër”.

“VAZHDONI TË PROTESTONI - MERRINI INSTITUCIONET TUAJA”!!!

Ai i nxiti ata që ishin në rrugë, duke shtuar: “Mbajini mend emrat e vrasësve dhe të dhunuesve. Ata do të paguajnë një çmim të madh”.

Brenda 24 orësh, u zmbraps dhe e shpjegoi këtë lëvizje duke thënë se “burimet shumë të rëndësishme” i kanë thënë atij se Irani ndaloi vrasjen e protestuesve dhe nuk po vazhdon me ekzekutimet masive.

Nuk është e qartë se ku e mori atë informacion, por deri më tani ka qenë kryesisht i saktë.

Për më tepër, dolën raportet se Trumpi kishte dëgjuar paralajmërimet nga aleatët tanë rajonalë - Arabia Saudite, Katari, Omani dhe Turqia - se goditja e Iranit mund të ndezë një luftë shumë më të madhe për shkak të kundërsulmeve nga Irani dhe aleatët e tij terroristë të armatosur rëndë, si Hezbollahu në Liban dhe Lëvizja Huti në Jemen.

Disa paralajmërime ngritën mundësinë e një lufte civile iraniane që do të mund të shkaktonte një valë refugjatësh.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjithashtu i kërkoi Trumpit të shtynte çdo sulm, në mënyrë që Izraeli të kishte më shumë kohë për t’u përgatitur për mundësinë e të qenit cak i hakmarrjes iraniane.

Të premten, Trumpi hodhi poshtë thashethemet se presioni nga udhëheqësit e huaj e shtyri të zmbrapsej.

“Askush nuk më bindi. E binda veten time”, u tha ai gazetarëve.

Ai gjithashtu shtoi se anulimi i ekzekutimeve nga regjimi “kishte ndikim të madh” në vendimin e tij.

Opsionet e hapura

The Wall Street Journal shtoi dy faktorë të tjerë.

Së pari, këshilltarët ushtarakë i thanë presidentit se ShBA-ja duhet të forcojë burimet e saj në rajon për të kryer një sulm të rëndësishëm dhe gjithashtu për të mbrojtur trupat dhe aleatët tanë.

Arsyeja e dytë ishte se Trumpi u informua se një sulm ushtarak ndoshta nuk do të rrëzonte regjimin islamik, por do të shtonte brutalitetin kundër demonstruesve.

Përfundimi është se vendimi i Trumpit për të mos ndërmarrë një sulm ushtarak ishte padyshim thirrja e duhur dhe e matur - të paktën deri tani.

Dhe, ai ka ruajtur të drejtën për të vepruar në kohën më të mirë dhe në rrethana sa më të favorshme.

Ndërkohë, tani është e qartë se demonstruesit, përkundër guximit dhe vendosmërinë heroike, nuk patën pothuajse aspak mbështetës të mjaftueshëm për të rrëzuar qeverinë.

Një tregues kryesor është se asnjë pjesë e ushtrisë apo e Basixhit, grupit paramilitar brutal, nuk u tërhoq apo refuzoi urdhrat për të qëlluar për vdekje, përfshirë civilët që nuk po protestonin.

Dhe, ndonëse thuhet se numri i të vdekurve është më shumë se tre mijë, qeveria mbylli me sukses internetin, që do të thotë se vetëm dromca të shpërndara të shtypjes së përgjakshme u panë jashtë vendit.

Ndjesia se momenti ka kaluar u pasqyrua në një fjalim të së shtunës nga ajatollahu, ku ai shpalli fitoren dhe betohet se qeveria e tij do të “thyejë shpinën e sedicionistëve”.

Ai dha kritika ashpra për Trumpit dhe e fajësoi atë për viktimat.

Ai gjithashtu tha në postime në rrjetet sociale se “presidentin e ShBA-së e konsiderojmë fajtor për shkak të viktimave, dëmeve dhe shpifjeve që ai i shkaktoi kombit iranian”.

Khamenei nuk përmendi Venezuelën, por pa dyshim që është në mendjen e tij.

Aleanca e vendit të tij me Nicolás Maduron pësoi goditje të madhe kur ShBA-ja kapi diktatorin në një operacion të shkëlqyeshëm dhe e fluturuan për në Nju-Jork për t’u përballur me akuza të shumta penale.

‘Respekt, jo frikë’

Nga ana e tij, Trumpi iu përgjigj shpejt kritikave të ajatollahut duke i thënë Politico-s, në një intervistë të së shtunës, se qeverisja 37-vjeçare e Khameneit do të duhej të mbaronte.

“Është koha për të kërkuar udhëheqje të re në Iran”, tha presidenti, duke qenë për herë të parë kaq specifik.

Trumpi shtoi se “ajo për të cilën ai [ajatollahu] është fajtor është shkatërrimi i plotë i vendit dhe përdorimi i dhunës në nivele të cilat më parë ishin të paimagjinueshme”.

“Për të mbajtur vendin në funksion - edhe pse ai funksion është në një nivel shumë të ulët - lidershipi i tij duhet të përqendrohet në drejtimin e vendit për së mbari, siç bëj unë me Shtetet e Bashkuara, dhe jo duke vrarë me mijëra njerëz për të mbajtur kontrollin”, tha presidenti.

“Lidershipi është për respekt, jo për frikë dhe vdekje”, shtoi Trumpi.

Lëvizjet para-mbrapa duket se shënuan fundin e këtij raundi. Nuk ka raporte për protesta në qytete të mëdha, dhe thuhet se jeta në rrugë dhe blerjet janë kthyer në normalitet në Teheran.

Kjo s’do të thotë që ajatollahu dhe rrugaçët e tij do të adoptojnë një qasje më të lehtë dhe më të butë të qeverisjes.

Sipas NPR-së, një nga vartësit e tij mbajti një fjalim të zjarrtë të shtunën ku i përshkroi protestuesit si “shërbëtorët” e Netanyahut dhe “ushtarë të Trumpit”.

Kleriku deklaroi se Netanyahu dhe Trumpi duhet të përgatiten për “hakmarrje të ashpër nga sistemi”.

Ndoshta, por Trumpi është njeri këmbëngulës.

Ai e kurseu udhëheqësin suprem këtë herë, por kur ai vendosë që momenti dhe rrethanat janë të duhura, ajatollahu do ta marrë hakun që meriton. /Telegrafi/