LAJMI I FUNDIT:

Tahiri i AAK-së: Ligji i pagave shpëton nga kontestimi i Kushtetueses me vlerën e koeficientit prej 129 euro

Tahiri i AAK-së: Ligji i pagave shpëton nga kontestimi i Kushtetueses me vlerën e koeficientit prej 129 euro

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha sot se vlera e koeficientit të pagave po vazhdon të mbahet sekret dhe kjo sipas tij është e papranueshme.

Tahiri në një konferencë për media theksoi se 80 mijë shërbyes publikë të vendit janë në ethe, duke mos e ditur pagën e tyre.

“Është e papranueshme që të mos përcaktohet vlera e koeficientit tani kur ligji është në fuqi dhe është nënshkruar nga presidentja”, tha ai, raporton Telegrafi, ndërsa shtoi se si është e mundur të mos kalkulohet për kaq muaj vlera e koeficientit.


Sipas tij, ky ligj do të shpëtojë nga kontestimi i Kushtetueses vetëm me vlerën e koeficientit prej 129 euro.

“A është qëllimi edhe që më tutje që ky ligj të përdoret si instrument shantazhues apo jo? Si ka logjikë për gjashtë muaj të mos kalkulohet kur dihet se sa është buxheti …  Në qoftë se qëllimi ka qenë që ky ligj të kontestohet nga Gjykata kushtetuese le të na thonë. Kontestimi ka filluar. AAK e ka një porosi për kryeministrin dhe qeverinë: në mënyrë që ky ligj të shpëtohet nga kontestimi i Gjykatës Kushtetuese, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro”, u shpreh Tahiri.

Ndryshe, Ligji për Pagave është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, kurse pritet që i njëjti të zbatohet nga muaji shkurt i këtij viti.

Të enjten, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin është shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar. /Telegrafi/