Organizata jo-qeveritare “Tactical Tech” nga Berlini sot prezantuan ekspozitën “Glass Room”, me të cilën synojnë që të ngrisin vetëdijen për edukimin medial dhe kujdesin nga dezinformatat dhe çrregullimi informativ.

Pjesëmarrës në hapjen e ekspozitës ishin edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav , Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, Gazetari Kreshnik Gashi dhe përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë.


Përgjatë fjalimit të tij, Orav theksoi se lufta kundër çrregullimit informativ duhet të mirret seriozisht pasi që dezinformatat dobësojnë edhe besimin në institucionet publike.

“Në botën digjitale të sotme, informacioni përhapet më shpejtë se kurrë më parë. Kjo krijon mundësi të reja për lidhje, por edhe rreziqe të reja. Kur faktet shtrembërohen, dobësohet besimi tek institucionet publike. Kur manipulimi zëvendëson dialogun, demokracia ndikohet negativisht. Prandaj Bashkimi Evropian i kushton kaq rëndësi letrimit mediatik, edukimit dhe transparencës. Ne jemi krenarë të punojmë me partnerët në Kosovë që ndajnë këtë vizion: gazetarë, edukatorë, shoqëri civile dhe të rinj”, tha ai.

Ai poashtu foli për ekspozitën, duke folur mbi rëndësinë e saj.

“Kjo ekspozitë tregon se si mësimi mund të jetë krijues dhe nxitës, duke nxitur të gjithë të shqyrtojnë më me kujdes botën online dhe të mendojnë kritikisht për informacionin që konsumojnë”, tha Orav.

Kurse Kreshnik Gashi tha se beson që çdo qytetar i Kosovës duhet të vizitojë këtë ekspozitë dhe punëtoritë që do të realizohen në kuadër të saj.

“Është kënaqësi të jem pjesë e një organizimi të tillë dhe është shumë kënaqësi me nda një eksperiencë e cila duhet të shihet nga secili qytetar i Kosovës në secilën moshë të cilën është ai. Në këtë ekspozitë për shumë pak minuta çdo qytetar i Kosovës mundet të pajiset me të dhënat elementare se si duhet të trajtojë qasjen në internet dhe si duhet të jetë aktivizmi qytetar që të luftojë një të keqe të madhe me të cilën po përballet bota e që në këtë rast është dezinformata dhe çrregullimi i informacionit. Të dhënat faktike të cilat i kemi të siguruara tashmë për shoqërinë tonë na ngrisin në nivel të alarmit dhe kërkojnë një ndërhyrje gjithëshoqërore për të arritur të zhvillojmë kapacitetet e shoqërisë në trajtimin e çrregullimit të informacionit dhe në trajtimin e dezinformatës. Ajo që kemi konstatuar deri më tash e tash synojmë ta trajtojmë është se shoqëria jonë është e rrezikuar prej këtij çrregullimi”, tha ai.

Ekspozita do lëvizë edhe në dy komuna të Kosovës, në Mitrovicë të Veriut dhe në Podujevë. /KP/Telegrafi/