Tabela me simbolet e shtetit në Mitrovicën e Veriut u raportua si e dëmtuar, komuna jep sqarime

Është raportuar se një tabelë me simbolet shtetërore të Kosovës, e vendosur në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, është dëmtuar. Megjithatë, zyrtarët lokalë kanë mohuar këto pretendime, duke sqaruar se tabela është thjesht larguar për t'u vendosur në një lokacion tjetër.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Visar Syla.
Ai theksoi se tabela nuk është dëmtuar, por është larguar me qëllim vendosjen në një vend tjetër më të përshtatshëm.
"Jo tabela nuk është dëmtuar, e kemi larguar pasi ai është objekti i MPB-së. Nuk e dimë çka do të vendosin MPB-ja aty, por tabela nuk është dëmtuar, e kemi larguar ne", ka thënë Syla.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, konfirmoi për Telegrafin se nuk ka pasur asnjë dëmtim të tabelës, duke shtuar se largimi është bërë nga vetë komuna. /Telegrafi/


















































