Iga Swiatek bëri histori në Wimbledon duke fituar titullin e saj të parë në këtë turne, por njëkohësisht i shkaktoi një “goditje të dhimbshme” publikut që kishte paguar qindra euro për një finale që zgjati vetëm 57 minuta.

Në një dominim absolut, tenistja polake mposhti amerikanen Amanda Anisimova me rezultat shkatërrues 6:0, 6:0 – një nga finalet më të shkurtra në historinë e Grand Slamit. Ishte një paraqitje perfekte nga Swiatek, ndërsa Anisimova u përball me vështirësi të mëdha, duke bërë plot 28 gabime.


Biletat për këtë ndeshje kushtonin deri në 372 euro, që do të thotë mbi 6.50 euro për minutë tenis për ata që patën fatin – apo jo – ta shikojnë nga afër.

Edhe bileta më e lirë prej 283 eurosh rezultoi një “investim” i rëndë për vetëm 57 minuta lojë. Për shumë tifozë, përvoja ishte më shumë zhgënjyese sesa prestigjioze.

Megjithatë, në fushë u shkrua histori: Swiatek u bë gruaja e parë polake që fiton Wimbledonin dhe e vetmja lojtare aktive që ka triumfuar në të gjitha sipërfaqet e Grand Slamit – beton, argjilë dhe bari.

Rezultati 6:0, 6:0 në një finale femrash në Wimbledon nuk ishte parë që nga viti 1911.

“Duket surreale. Nuk kam ëndërruar kurrë të fitoj Wimbledonin, gjithmonë më është dukur shumë larg”, u shpreh Swiatek e emocionuar pas ndeshjes. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app