Sveçla u ankua se një person theu heshtjen zgjedhore, reagon LDK: Shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar sjelljen siç e quajnë të papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti i cili po qëndronte jashtë rrethojave të shkollë "Faik Konica", një nga qendrat ku sot votohet për kryetar të Prishtinës.
Besian Mustafa nga LDK-ja përmes një postimi në rrjetin social në Facebook shkruan se aktivistët, anëtarët dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të jetoj e shprehet i lirë pa frikë, presion apo intimidim.
Në reagim thuhet se përveç tjerash Sveçla ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve.
“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se LDK-ja thekson se aktivistët, anëtarët dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të jetoj e shprehet i lirë pa frikë, presion apo intimidim.
“Sjellje të tilla përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike dhe janë të papranueshme nga kushdo që ka mbajtur apo mban funksione publike. I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor. LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektit, kulturës demokratike dhe standardeve që e kanë ndërtuar këtë vend”, thuhet në reagimin e LDK-së. /Telegrafi/



















































