Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ të ri që parashihte digjitalizimin e arkave fiskale.

Sipas tij, ky vendim nënkupton ndërprerjen e një procesi të rëndësishëm për modernizimin e sistemit tatimor dhe mbetet në favor të një monopoli me kosto të lartë për bizneset.


Murati ka bërë të ditur emrat e gjyqtarëve që morën vendimin — Delushe Halimi, Lumni Sallauka dhe Franciska Zhitija-Ymeri — duke e cilësuar vendimin e tyre si "absurd".

“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon,” ka shkruar Murati.

Ai paralajmëroi se si pasojë e këtij vendimi, bizneset në Kosovë do të vazhdojnë të përballen me kosto të mëdha vjetore.

“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale. Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit,” përfundon reagimi i Muratit.

Deri më tani, Gjykata Supreme nuk ka dhënë ndonjë arsyetim publik për këtë vendim.