Superliga e Kosovës në basketboll fillon në fundjavë, anulohet Superkupa

Në fundjavë starton edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll, me ndeshjet e para që do të zhvillohen në palestrat sportive të qyteteve përkatëse.
Vendimet e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për këtë sezon u bënë publike të mërkurën.
Sipas Bordit, pas miratimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), xhiroja e parë e ProCredit Superligës dhe e Superligës së Femrave do të zhvillohet në datat 4-5 tetor 2025, ndërsa xhiroja e dytë parashikohet për datat 18-19 tetor.
Për të lehtësuar zhvillimin e ndeshjeve gjatë periudhës zgjedhore, xhiroja e dytë dhe e tretë e Superligës do të zhvillohet në një palestër të vetme.
Bordi i FBK-së ka vendosur gjithashtu anulimin e Superkupës së Kosovës për meshkuj këtë sezon. Arsyetimi i këtij vendimi është që të mos ndikohet në vijueshmërinë e ProCredit Superligës dhe për të garantuar që të gjitha ndeshjet të zhvillohen sipas kalendarit të planifikuar.
Ky sezon nis me pritshmëri të larta, ndërsa klubet dhe lojtarët e gatshëm për të dhënë maksimumin që nga xhiroja e parë. /Telegrafi/




















































