Superkompjuteri i Optas ka publikuar parashikimin e tij të detajuar për kombëtaren që ka më shumë gjasa të ngrejë trofeun e Kupës së Botës 2026.

Në krye të renditjes qëndron Spanja, të cilës Opta i jep 17% shanse për të fituar. Kampionët e Europës konsiderohen ekipi më i balancuar i momentit, me një mesfushë të jashtëzakonshme dhe një repart sulmues që garanton cilësi të lartë.


Pas tyre renditet Franca, me 14.1% shanse. Me Kylian Mbappe të gatshëm për një tjetër Botëror madhështor dhe me një brez të artë lojtarësh, “Gjelat” pritet të jenë sërish protagonistë deri në fazat finale të turneut.

Anglia vjen menjëherë pas Francës me 11.8% shanse, duke marrë një vlerësim të lartë falë brezit të ri të talentuar dhe besimit të madh në punën e Thomas Tuchel.

Opta sugjeron se “Tre Luanët” mund të jenë më në fund gati ta thyejnë mallkimin 60-vjeçar dhe të tentojnë titullin e dytë botëror.

Vetëm më pas vjen Argjentina, me 8.7% shanse. Edhe pse Lionel Messi vazhdon të mbetet në qendër të magjisë albiceleste dhe skuadra e Scalonit dominoi kualifikimet e Amerikës së Jugut, statistikat nuk i vendosin kampionët e botës në mesin e favoritëve kryesorë.

Gjermania, me 7.1% shanse, shihet si një kandidat i rrezikshëm, por jo ndër favoritët kryesorë, për shkak të luhatjeve të shfaqura vitet e fundit.

Portugalia e Cristiano Ronaldos, në Botërorin e tij të fundit, vlerësohet me 6.6% mundësi për të synuar lavdinë e madhe.

Një tjetër surprizë në renditje është Brazili. Edhe me Carlo Ancelottin në stol dhe lojtarë të nivelit të lartë, ata marrin vetëm 5.6% shanse — një tregues i formës së dobët në turnetë e fundit dhe vështirësive për të rikthyer dominimin historik.

Holanda, e cila ka qenë gjithmonë pranë por kurrë në majë të botës, vlerësohet me 5.2% shanse. Ndërkohë, Norvegjia falë Erling Haaland siguron 2.3%, ndërsa Kolumbia e Luis Díaz renditet e dhjeta me 2%.

Opta përmend edhe një detaj interesant: ekipet që vijnë nga ‘play-off’-et, kryesisht për shkak të mundësisë së pranisë së Italisë, kanë 3.7% shanse për të triumfuar në Amerikën e Veriut./Telegrafi/

telegrafi sport app