Sukses i madh i Klubit “Puma” nga Suhareka në Kampionatin Ballkanik të Taekwondos

Klubi i Taekwondos “Puma” nga Suhareka ka shënuar një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë me pesë garuese në Kampionatin Ballkanik të Taekwondos, ku konkuruan gjithsej 750 sportistë nga 12 shtete të Ballkanit.
Garueset e klubit “Puma” përfaqësuan me krenari Republikën e Kosovës dhe qytetin e Suharekës, duke arritur rezultate të shkëlqyera: Valina Fetiu – Vendi i parë (Kampione Ballkanike), Shega Sejdiu – Vendi i tretë, Rina Krasniqi, Olta Krasniqi, Diell Sejdiu, përcjell Telegrafi.
Rrugëtimi i Valina Fetiut, e cila tashmë është Kampione Ballkanike dhe Nënkampione e Europës, u shënua nga një paraqitje mbresëlënëse: ajo kaloi pa kundërshtare në luftën e parë, fitoi me bindje ndaj nënkampiones evropiane nga Bosnja në të dytën, dhe në finale triumfoi ndaj garueses nga Maqedonia e Veriut, duke siguruar medaljen e artë.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka përgëzuar garueset për suksesin e arritur, duke theksuar se ky rezultat është dëshmi e përkushtimit të madh të sportisteve, punës profesionale të trajnerëve dhe mbështetjes së vazhdueshme të prindërve.
“Suksesi i vajzave të klubit ‘Puma’ është një shembull frymëzues për të rinjtë tanë dhe një dëshmi se me disiplinë, përkushtim dhe dashuri për sportin mund të arrihen rezultate të jashtëzakonshme,” ka deklaruar kryetari Muharremaj.
Ky arritje e re vendos klubin “Puma” ndër më të suksesshmit në vend dhe e forcon pozitën e Suharekës si një qendër me traditë dhe potencial të madh në sportet luftarake. /Telegrafi/


















































