Struga fiton derbin shqiptar, Bashkimi merr tri pikë në shtëpi

Javën e 13-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, e kanë hapur duelet Struga – Arsimi dhe Bashkimi – Rabotniçki, ku në të dyja përballjet kanë triumfuar ekipet nikoqire. Struganët fituan bindshëm ndaj Arsimit dhe u rikthyen në krye të tabelës, ndërsa Bashkimi siguroi tri pikë të vlefshme kundër Rabotniçkit për t’u ngjitur në mesin e renditjes, njofton Telegrafi.
Struga Trim Lum shënoi fitore të sigurt ndaj Arsimit (4-0) në ndeshjen e javës së 13-të të Ligës së Parë të Maqedonisë. Skuadra e Bledi Shkëmbit nuk hasi vështirësi përballë mysafirëve, duke e kontrolluar plotësisht lojën në “Stadiumin e Qytetit” në Strugë. Pas disa rasteve të humbura në fillim, rezultatin e zhbllokoi Marjan Radeski në minutën e 20-të, pas një topi të gjatë nga Bojku dhe përfundimi të saktë në këndin e portierit Islami.
Në pjesën e dytë, kapiteni Bunjamin Shabani mori skenën, duke realizuar dy gola brenda dy minutash – fillimisht pas kombinimit me Compaorén dhe më pas pas një topi të vjedhur nga Jevtovski. Në fund, rezultatin përfundimtar 4-0 e vulosi Hristijan Maleski, duke konfirmuar epërsinë e plotë të struganëve. Me këtë fitore, Struga Trim Lum ngjitet sërish në krye të tabelës me 32 pikë, dy më shumë se Vardari, ndërsa Arsimi mbetet me 15 pikë dhe rrezikon rënien në zonën e ftohtë.
Në ndeshjen tjetër, Bashkimi fitoi 2-1 ndaj Rabotniçkit në një duel të fortë në Kumanovë. Pas disa rasteve në pjesën e parë, vendasit kaluan në epërsi në minutën e 41-të me golin e Abdulhadi Jahjas. Në pjesën e dytë, Emanuell Avornio shënoi me kokë për 2-0, duke sjellë entuziazëm në tribuna.

Mysafirët ngushtuan diferencën në fund me golin e Hoxhës, por Bashkimi ruajti avantazhin dhe mori një fitore të rëndësishme. Kjo ishte fitorja e gjashtë për kumanovarët, që në javën e ardhshme do të përballen me Strugën, ndërsa Rabotniçki do të ketë sfidë të vështirë ndaj Shkëndijës. /Telegrafi/



















































