LAJMI I FUNDIT:

Stoltenberg-Thaçit: Dialogu me Serbinë është i rëndësishëm

Stoltenberg-Thaçit: Dialogu me Serbinë është i rëndësishëm

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, janë takuar të mërkurën në Bruksel, me ç’rast zyrtari më i lartë i Aleancës Veriatlantike, ka thënë se kjo organizatë është e përkushtuar ta ruajë paqen dhe stabilitetin në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij takimi në mes të parit të Kosovës dhe atij të NATO-s, është folur edhe për situatën politike në Kosovë.


“Stoltenberg ka theksuar se KFOR-i do ta vazhdojë misionin e vet në garantimin e një ambienti të sigurt në Kosovë dhe do të vazhdojë të garantojë lëvizjen e lirë të qytetarëve për aq kohë sa të jetë e nevojshme, akorduar me mandatin që i kanë dhënë Kombet e Bashkuara”, thuhet në një komunikatë të NATO-s.

Ndërsa, sa i përket situatës politike, Sekretari Gjeneral e ka përshëndetur maturinë politike dhe rritjen e përgjegjësisë në institucionet në Prishtinë, mirëpo e ka ritheksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave politike.

Ai po ashtu është shprehur se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, është shumë i rëndësishëm për përmirësimin raporteve.