Skenderaj miraton buxhetin për vitin 2026

Kuvendi Komunal i Skenderajt, i udhëhequr nga kryesuesja Adelina Spahiu, ka mbajtur sot seancën e fundit të këtij mandati, ku një nga vendimet më të rëndësishme ishte miratimi i buxhetit komunal për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028, përcjell Telegrafi.
Seanca, në të cilën morën pjesë kryetari i Komunës Fadil Nura, drejtorët e Ekzekutivit, anëtarët e Kuvendit dhe përfaqësues të OSBE-së, u fokusua kryesisht në vendimet strategjike që prekin zhvillimin ekonomik dhe shërbimet për qytetarët.
Përveç buxhetit, Kuvendi miratoi edhe disa pika të tjera, përfshirë shfuqizimin e një vendimi të mëparshëm dhe miratimin e Draft-Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore 2025–2027.
Në fjalën e tij, kryetari Fadil Nura falënderoi asamblistët për bashkëpunimin gjatë mandatit dhe theksoi se miratimi i buxhetit siguron vazhdimësinë e projekteve kapitale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Skenderajt. /Telegrafi/

















































