Skena të pazakonta në Ukrainë: Energjia bie tre herë, ndeshja ku luante Baton Zabërgja pezullohet

Ndeshja e javës së 15-të në kampionatin ukrainas mes Metalist 1925 dhe Veres është ndërprerë para kohe në Zhytomyr për shkak të problemeve serioze me ndriçimin e stadiumit dhe tani vendasit rrezikojnë humbje në tavolinë me rezultat 0:3, raporton “Suspilne Sport”.
Gjatë ndeshjes që ishte vendase për Metalist 1925, por e zhvilluar në Zhytomyr, u regjistruan ndërprerje të njëpasnjëshme të energjisë elektrike.
Gjyqtari Vitaliy Romanov u detyrua ta ndalte lojën dy herë – fillimisht në minutën e 10-të dhe më pas në të 18-tën. Pas rikthimit të ekipeve në fushë për herë të tretë, ndriçimi u fik sërish dhe gjyqtari vendosi ta ndërpresë përfundimisht ndeshjen në minutën e 20-të.
Më vonë u konfirmua se të dielën, më 7 dhjetor, ndeshja nuk do të rinisë. Pas ndërprerjes zyrtare, u mbajt një takim pune me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dy klubeve, gjyqtarëve dhe delegatit të ndeshjes.
Sipas informacioneve të “TaToTake”, drejtuesit e Veres u referuan pikës 6 të nenit 10 të Rregullores së UPL, sipas së cilës skuadra vendase mund të ndëshkohet me humbje teknike 0:3 nëse nuk garanton kushtet e duhura për zhvillimin e ndeshjes.
Drejtori sportiv i Veres, Yuriy Gabovda, tha: “Ne pranuam t’i jepnim edhe një shans fundit zhvillimit të ndeshjes, por pas herës së tretë që u fik ndriçimi, pritja humbi çdo kuptim”.
Ai shtoi se skuadra nuk e ka shqyrtuar aspak mundësinë që ndeshja të luhet të hënën, më 8 dhjetor, për shkak të problemeve logjistike, kështu që vendimi final duhet të merret nga organet përkatëse.
Ndërkohë, nënkryetari i Metalist 1925, Yuriy Korotun, deklaroi për UPL TV: “Ne do të përgatisim një ankesë për Komisionin e Kontrollit. Të gjitha kushtet për zhvillimin e ndeshjes u respektuan nga ana jonë dhe askush nuk mund ta kontrollonte situatën me ndërprerjen e energjisë”.
Nëse Veres i jepet fitorja teknike me rezultat 0:3, atëherë skuadra nga Rivne do të ngjitet në vendin e nëntë, duke kaluar Karpatyn e Lvivit. Ndërkohë, për Metalist 1925 pozita në tabelë nuk do të ndryshojë – ata mbeten të tetët me 21 pikë./Telegrafi



































