Skandali seksual i viteve '60 që tronditi politikën britanike

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
“Për 20 vjet mendoj se kam qenë thjesht një pjesë artikulli; asnjëherë nuk kam pasur mundësinë të them fjalën time,” i tha Christine Keeler gazetares Sue Lawley në emisionin Nationwide të BBC-së, në vitin 1983. Ajo po kujtonte skandalin e famshëm politik që kishte përfshirë jetën e saj dhe e kishte bërë emër të njohur për çdo britanik: Afera Profumo.
Modelja 21-vjeçare u gjend papritur në qendër të vëmendjes mediatike kur, më 5 qershor 1963, John “Jack” Profumo dha dorëheqjen si Ministër për Luftën në Mbretërinë e Bashkuar, pasi pranoi se kishte gënjyer Parlamentin lidhur me një marrëdhënie intime me të. Shtypi raportonte se gjatë kësaj lidhjeje, që kishte ndodhur dy vite më parë, Keeler po takohej gjithashtu me një atashe detar sovjetik, Yevgeny Ivanov, për të cilin dyshohej se ishte spiun.
Historia i kishte të gjitha: seks, vajza spektakli dhe klasë të lartë britanike; gënjeshtra, një të shtënë me armë dhe spiunazh të Luftës së Ftohtë. Keeler nuk ishte aspak e përgatitur për skandalin ku u përfshi - një skandal që më vonë do të ndikonte në rënien e qeverisë britanike. “Isha një vajzë e paarsimuar, dhe kur isha 19 vjeçe, politika për mua ishte diçka krejtësisht e pakuptueshme,” tha ajo për BBC-në në vitin 1983. Me zbardhjen e hollësive të aferës, Keeler do të ndiqej dhe më pas do të demonizohej nga shtypi, raportimet e të cilit do të formësonin perceptimin publik për të. Një fotografi e famshme e saj, e zhveshur dhe ulur në një karrige, do të bëhej një nga imazhet më ikonike të Londrës të viteve ’60.
Keeler veçse kishte përjetuar një fëmijëri të vështirë dhe traumatike, para shpërthimit të aferës. Ajo lindi në Uksbrigj në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 1942, dhe u rrit në varfëri, pasi babai i saj braktisi familjen qëkur ishte e vogël. Gjatë adoleshencës, ajo u abuzua seksualisht nga njerku dhe miqtë e tij. Në moshën 17-vjeçare, mbeti shtatzënë nga një ushtar amerikan. Pasi ai u rikthye në ShBA, Keeler tentoi më kot të bënte vetë abort. Përfundimisht, ajo lindi një djalë, i cili vdiq gjashtë ditë më vonë.
Pasi braktisi shkollën në moshën 15-vjeçare dhe pa asnjë kualifikim, ajo punoi si modele dhe kameriere, përpara se të gjente punë si valltare në kabarenë “Murray’s” në Soho të Londrës. Pikërisht aty do të njihte modelen tjetër Mandy Rice-Davies, atëherë vetëm 16 vjeçe, dhe do të lidhej me njeriun që do ta fuste në botën elitare britanike: Stephen Ward.
Ward ishte osteopat i suksesshëm në Rrugën “Harli”, klientët e të cilit përfshinin anëtarë të aristokracisë dhe figura të njohura kulturore të viteve ’60. Kjo i mundësonte të shoqërohej me njerëzit më me ndikim në vend. Ai gjithashtu kishte një pasion dytësor si piktor portretesh; shpesh vizatonte personat që takonte - përfshirë edhe Princin Philip, bashkëshortin e Mbretëreshës Elizabeth II, dhe motrën e saj, Princeshën Margaret. “Stephen ishte vetë një burrë i pashëm, inteligjent, dhe adresari i tij dukej si një faqe e librit Kush është kush,” tha Rice-Davies në një intervistë për Witness History të BBC-së në vitin 2013. “Lista e klientëve të tij përfshinte Liz Taylorin, Sophia Lorenin, gjysmën e aristokracisë angleze. Në mënyrën e tij, ai kishte shumë ndikim.”
Ward kishte zakon të lidhte shoqet e tij të reja me burra më të vjetër dhe me pushtet. Pasi i njohu dy vajzat, ai i mori nën kujdes dhe Keeler u transferua në apartamentin e tij. Miqësia mes tyre, ndonëse shumë e afërt, mbeti platonike. Ward, i lidhur mirë me rrethe të larta, filloi t’i çonte Keelerin dhe Rice-Daviesin në festa të shoqërisë së lartë, ku i prezantonte me miqtë e tij të pasur e me ndikim dhe i nxiste të krijonin lidhje me ta.
“Kushdo që e takonte Stephenin e kuptonte menjëherë se kishte një hijeshi të jashtëzakonshme dhe një mënyrë të veçantë të sjelljes,” tha Keeler për BBC-në. “Unë isha shumë e afërt me të. Besoj se kishte sjellje të gabuara, ishte njeri i keq - deri në një farë mase edhe i lig - por nuk e di ... më interesonte.” Pikërisht përmes Wardit, Keeler do të njihej me Profumon, takim që do të shënonte fillimin e gjithë rrëmujës që pasoi.
Në rrethin shoqëror të Wardit bënte pjesë edhe ish-deputeti konservator, Lord Astori, i cili organizonte rregullisht festa fundjave në rezidencën e tij Klivden, në Bakinghemshër. Në njërën prej këtyre ngjarjeve, më 8 korrik 1961, ndër të ftuarit e shquar ishin John Profumo dhe bashkëshortja e tij, aktorja Valerie Hobson, e njohur për rolet e saj në Bride of Frankenstein (1935) dhe Great Expectations (1946) të David Lean-it.
Ward, i cili kishte me qira një nga shtëpitë e vogla në pronën e Klivdenitt, ndodhej atje me disa miq, përfshirë Keelerin. Ata vendosën të përdornin pishinën e Klivdenit. “Të gjithë po laheshim, përveç Stephenit, sepse ai nuk notonte kurrë,” tregoi Keeler për Woman’s Hour në vitin 2001.
“Unë kisha marrë një rrobë banje që më rrinte shumë e madhe dhe u ankova. Stephen më tha: ‘Hiqe atëherë, nëse po ankohesh aq shumë’. Dhe e hoqa - sepse më binte vazhdimisht - dhe e hodha mënjanë. Pikërisht atëherë hynë Bill Astor dhe Profumo.” Kur panë adoleshenten e zhveshur, 46-vjeçari Profumo mbeti i mahnitur.
Por, në të njëjtën shtëpi po qëndronte edhe një mik tjetër i Wardit, kapiteni Ivanov, atashe detar në ambasadën ruse në Londër. “Yevgeny ishte njeri shumë simpatik,” tha Rice-Davies për BBC-në në vitin 2013. “Flisja me të për parimet e komunizmit. Ishte një djalë i mirë. Por, kishte raste kur i thosha Stephenit: ‘A është ky spiun?’ Dhe ai më përgjigjej: ‘Oh, zemër, të gjithë në ambasadën ruse janë spiunë.’”
Më vonë, Keeler pranoi se kishte fjetur një herë me Ivanovin, por i tha Sue Lawleyt se nuk kishin qenë kurrë në lidhje. “Nuk isha kurrë vërtet e afërt me Ivanovin, siç mund ta lexoni në librin tim. Ndodhi vetëm një episod mes nesh, por nuk ishim dashnorë. Ndërsa me Profumon ... besoj se isha paksa e intriguar sepse ishte ministër Lufte, por nuk e kuptoja sa e rrezikshme ishte situata - sepse nuk po përpiqesha ta manipuloja.”
Profumo kërkoi numrin e saj të telefonit, por Keeler tha në Woman’s Hour se fillimisht u përpoq ta shmangte: “I thashë të pyesë Stephenin, sepse sinqerisht nuk doja që të më telefononte. Ishte një burrë i madh në moshë dhe nuk më pëlqente fare.”
“[Por, Ward] padyshim që donte të shkoja me Jack Profumon; ai më bindi ta takoja,” i tha Keeler BBC-së në vitin 1983. E shtyrë nga Wardi, ajo pranoi të dilte për darkë me politikanin dhe të dy nisën një lidhje që zgjati “disa javë, një muaj maksimumi,” përpara se të përfundonte në mënyrë miqësore.
Thashethemet për marrëdhënien e tyre qarkullonin nëpër media, por ndoshta nuk do të kishin dalë kurrë në dritë po të mos kishte ndodhur një incident jashtë banesës së Wardit, në dhjetor të vitit 1962. Në atë kohë, Keeler kishte filluar të dilte me dy burra të tjerë: një këngëtar xhazi, Aloysius “Lucky” Gordon, dhe një kriminel të vogël të quajtur Johnny Edgecombe. Të dy burrat kishin të kaluar të dhunshme dhe ishin përfshirë në një grindje xhelozie për Keelerin. Kur ajo ndërpreu marrëdhënien me Edgecombein, ai u shfaq jashtë banesës së Wardit dhe kërkoi me ngulm të futej brenda. Kur Rice-Davies refuzoi, ai nxori një armë dhe filloi të qëllonte drejt derës. “Ne thirrëm policinë, dhe policia erdhi, dhe menjëherë pas saj, siç pritej, mbërriti edhe shtypi,” tha Rice-Davies për Witness History në vitin 2013.
Në atë periudhë të viteve 1960, Lufta e Ftohtë ishte në kulm, dhe media kishte mbuluar tashmë disa raste të spiunazhit të nivelit të lartë. Në vitin 1961, oficeri i Shërbimit Sekret britanik George Blake ishte zbuluar si agjent i dyfishtë i KGB-së, dhe në të njëjtin vit, pesë britanikë - të njohur si “Rrjeti i Spiunëve të Portlandit” - ishin kapur duke planifikuar të dorëzonin sekrete zyrtare në Moskë. Vetëm një vit para skandalit Profumo, në qendër të një tjetër skandali kishte qenë John Vassall, një zyrtar homoseksual i Ministrisë së Marinës, i cili ishte shantazhuar nga Bashkimi Sovjetik për të spiunuar. Me lajmin për arrestimin e Edgecombeit, shtypi mori sërish nxitje për të ndjekur thashethemet që qarkullonin për lidhjen e ministrit të Luftës - dhe mundësinë që Keeleri të kishte marrë informacione prej tij dhe t’ia kishte dhënë Ivanovit.
Ndërsa spekulimet po rriteshin, Keeler u arratis në Spanjë për të shmangur dëshminë në gjyqin e Edgecombeit; ai përfundimisht u dënua me shtatë vjet burg për posedim arme me qëllim rrezikimin e jetës. Por, zhdukja e saj nuk bëri gjë tjetër veçse shtoi intensitetin e vëmendjes nga shtypi. Në Parlament u ngritën pyetje për akuzat mbi lidhjen e Profumos dhe pasojat e saj për sigurinë kombëtare. Në përgjigje, ministri për Luftën e mohoi me vendosmëri para Parlamentit se kishte pasur ndonjë “sjellje të papërshtatshme” në marrëdhënien e tij me Keelerin.
Pjesëmarrja e Keelerit në një tjetër proces gjyqësor, këtë herë kundër Lucky Gordonit, i cili akuzohej për sulm ndaj saj, i dha shtypit arsye të publikonte edhe më shumë tituj rreth saj dhe Profumos. “Sigurisht që shtypi u çmend krejtësisht,” tha Rice-Davies. “Situata u bë aq dërrmuese për John Profumon saqë ai u detyrua të ngrihej në Parlament dhe të mohonte se kishte takuar ndonjëherë Christinen, përveçse në një rast shoqëror ku ndodhej edhe bashkëshortja e tij - por, natyrisht, shtypi erdhi tek unë për të marrë konfirmimin se ajo kishte pasur lidhje me Profumon.”
Dhjetë javë pasi kishte mohuar lidhjen, Profumo më në fund pranoi se kishte gënjyer Parlamentin dhe dha dorëheqjen. Por, skandali vazhdoi të përhapej. Pak ditë pas dorëheqjes së tij, policia arrestoi Wardin dhe e akuzoi për rekrutimin e grave dhe përfitimin nga fitimet e pamoralshme. Në gjyq, prokuroria akuzoi Keelerin dhe Rice-Daviesin se ishin prostituta dhe Wardin si tutorin e tyre. Si provë për këtë u paraqit fakti që ato kishin marrë dhurata nga burrat me të cilët kishin pasur marrëdhënie dhe se i kishin dhënë Wardit para për ushqim dhe energji elektrike gjatë kohës që jetonin në banesën e tij.
Gjyqi dhe dëshmitë e dëshmitarëve, që zbuluan jetën seksuale të shtresave të larta të shoqërisë, gjeneruan faqe të tëra nëpër gazeta. Shtypi dhe publiku vërshonin çdo ditë në sallën e gjyqit për të kapur një vështrim të personazheve të përfshirë. Rice-Davies u bë famëkeqe për shprehjen që përdori kur, nga vendi i dëshmitarit, iu tha se Lord Astor kishte mohuar se kishte fjetur me të: “Epo, do ta thoshte, apo jo?”
Asnjëri nga miqtë me ndikim që Wardi kishte krijuar me kujdes, nuk dëshmoi në mbrojtjen e tij. “Stephen kishte vendosur se nuk mund ta përballonte më situatën, dhe çakajtë ishin gati ta rrëzonin pa marrë parasysh gjithçka,” tha Rice-Davies për BBC-në. Në ditën e fundit të gjyqit, pasi gjykatësi nisi me përmbledhjen, Wardi i dha fund jetës. Ai vdiq tre ditë pasi u shpall fajtor. Avokati Geoffrey Robertson QC është një nga ata që sot e konsiderojnë çështjen si një shtrembërim të drejtësisë. Ai argumenton se asnjëra prej grave nuk ishte prostitutë, se Ward, në fakt, i kishte ndihmuar ato financiarisht me të ardhurat e tij si osteopat, dhe se ai ishte viktimë e një maskimi nga ana e qeverisë. Në vitin 2017, një kërkesë për të rishikuar dënimin e Wardit u refuzua, dhe materialet zyrtare të gjyqit të tij janë të mbyllura deri në vitin 2046.
Pas vdekjes së tij, Keeler do të përballej gjithashtu me ligjin. Në dhjetor të vitit 1963, dënimi trevjeçar i Gordonit për sulm ndaj saj u rrëzua nga Gjykata e Apelit dhe Keeler u akuzua se kishte gënjyer gjatë gjyqit të tij, pasi kishte mbrojtur dy burra që ishin të pranishëm gjatë sulmit duke dëshmuar se nuk kishin qenë aty. Ajo e pranoi fajin për dëshmi të rreme dhe u dënua me nëntë muaj burg.
Pas skandalit, kryeministri konservator Harold Macmillan urdhëroi një hetim mbi aferën Profumo. Raporti i Lord Denningut, në shtator 1963, përfundoi se siguria kombëtare nuk ishte rrezikuar dhe se nuk kishte prova që lidhnin ministrat me historitë e përçudnuara të aktiviteteve seksuale. Edhe pse u kritikua për menaxhimin e dobët të skandalit nga qeveria, raporti në tërësi ia atribuonte fajin “amoralit” Ward. Raporti u cilësua si një mbulim i së vërtetës dhe dosjet e Denningut mbi skandalin Profumo nuk janë publikuar. Në vitin 2020, Zyra e Kabinetit vendosi që ato të mbeten konfidenciale deri në vitin 2048.
E gjithë ngjarja dëmtoi rëndë besueshmërinë e qeverisë së Macmillanit. Kryeministri dha dorëheqjen në tetor 1963, duke përmendur shëndetin si arsye, dhe konservatorët humbën zgjedhjet e përgjithshme në vitin pasues. Profumo nuk do të kthehej më në politikë, por pjesën tjetër të jetës e kaloi si vullnetar për bamirësi në Londër. Në vitin 1975, ai u nderua me titullin CBE nga Mbretëresha, për kontributin e dhënë.
Keeler nuk pati aq fat. Pas lirimit nga burgu, ajo e pati të vështirë të gjente punë për të mbajtur veten. Kur foli për BBC-në në vitin 1983, për autobiografinë e saj të shkruar nga një tjetër, Nothing But..., Keeler kishte kaluar nga të qenit një nga gratë më të përfolura të Britanisë, në një grua që jetonte në një banesë sociale me djalin e saj të vogël dhe mbështetej në ndihmën sociale.
Pasi kishte jetuar për dy dekada nën hijen e aferës Profumo, Keeler i tha Lawleyt se libri ishte përpjekja e saj për të treguar anën e saj të historisë. “Të tjerët kanë dalë me librat e tyre, plot me budallallëqe e gënjeshtra, duke shkruar për jetën time, dhe mendova se ishte e drejtë, më në fund, ta botoja librin tim.”
Ky libër do të ishte një nga pesë të cilët Keeler botoi gjatë jetës së saj, duke reflektuar marrëdhënien e saj të ndërlikuar me episodin që i solli famë. Njëri prej tyre, Scandal, u bë bazë për filmin e vitit 1989 me të njëjtin titull, ku Joanne Whalley luajti rolin e saj.
Douglas Thompson, autori që bashkëpunoi me Keelerin për kujtimet e saj të vitit 2001, The Truth at Last, i tha BBC-së, kur ajo vdiq në vitin 2017, se besonte se ajo ishte gjithmonë e robëruar nga trashëgimia e aferës Profumo.
“Nuk mendoj se arriti ndonjëherë të shpëtonte prej saj - kjo ishte tragjedia. Ajo nuk arriti kurrë të mos jetë Christine Keeler.” /Telegrafi/



















































