Situata në veri, Berisha takon Thaçin në Dhërmi

Kryeministri Berisha dha mbështetjen e plotë të qeverisë që drejton për Prishtinën zyrtare, duke vlerësuar embargon e qeverisë së Kosovës ndaj produkteve serbe, jo sepse është kundër lëvizjes së lirë të mallrave, njerëzve, por se ky është një vendim i imponuar prej qeverisë serbe.
“Qeveria e Shqipërisë po ndjek me shqetësim provokimet e rrezikshme të bandave të serbomëdhenjve në kufirin verior të Republikës së Kosovës. Duke mbështetur plotësisht të drejtën dhe vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës për garantimin e rendit kushtetues, integritetit dhe kontrollit të plotë të territorit të saj, qeveria e Republikës së Shqipërisë dënon aktet kriminale të fallangave të serbomëdhenjve në vendkalimet në kufirin verior të Republikës së Kosovës, vrasjen e oficerit të forcave speciale të Kosovës, djegien e ndërtesave të doganave dhe sulmin e djeshëm të armatosur ndaj njësive tokësore dhe ajrore të KFOR-it në vendngjarje, të gjitha këto të mbështetura, të frymëzuara, të paguara nga qarqe ultra nacionaliste të Beogradit”,tha zoti Berisha.
Ndërkohë, kryeministri Thaçi tha se është i vendosur të vazhdojë kontrollin në veri, duke paralajmëruar serbët se nuk tërhiqet nga veriu./Telegrafi/

















































