Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës, u ka dërguar një letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke i bërë thirrje që të sigurojnë buxhetin për funksionimin normal të RTK-së dhe të garantojnë pagesën e pagave për mbi 700 punëtorë të institucionit.

Në letrën e saj, Sindikata thekson se punëtorët e RTK-së nuk kanë marrë pagën e muajit tetor, gjendje kjo që cenon mirëqenien e tyre dhe stabilitetin e transmetuesit publik.


Ajo nënvizon rëndësinë e funksionimit të RTK-së si institucion i pavarur dhe rol të tij në sigurimin e informimit profesional dhe të balancuar për qytetarët.

“Sindikata e Pavarur e RTK-se ju bën thirrje që nesër të reflektoni me maturi, seriozitet dhe përgjegjësi, në mënyrë që mbi 700 punëtorë të RTK-së t’i marrin pagat dhe të sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin normal të mediumit publik”, thuhet në njoftim.

Sindikata u bën thirrje deputetëve që, pavarësisht bindjeve politike, të reflektojnë me përgjegjësi për të garantuar pagesat dhe financimin e nevojshëm, duke ruajtur kështu pavarësinë editoriale dhe misionin themelor të RTK-së.

Ndryshe edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin për gjendjen e krijuar në RTK, duke u bërë thirrje institucioneve që të gjejnë zgjidhje.

“AGK-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve, Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, që të gjejnë format ligjore për të alokuar me urgjencë mjetet për RTK-në, në mënyrë që të vazhdojë funksionimi i papenguar. AGK-ja konsideron se përgjegjësinë kryesore e ka Qeveria në detyrë, e cila nuk ka pranuar të eksplorojë përdorimin e mjeteve të njëjta për ndarjen e buxhetit, sikurse në muajin gusht”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Telegrafi/