Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka shprehur shqetësimin e thellë që edhe sot, më 31 korrik, kur përfundon muaji, mediumi publik i vendit mbetet pa financim, duke lënë pa paga mbi 700 punëtorë dhe familjet e tyre.

SPRTK thekson se kjo situatë është jashtëzakonisht e rëndë dhe krejtësisht e papranueshme për Sindikatën.


“Ne nuk mund të pranojmë që punëtorët e RTK-së, të cilët çdo ditë mbajnë të informuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të mbeten pa të ardhura për shkak të neglizhencës institucionale. Edhe njëherë u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të gjetur një zgjidhje për situatën dhe për të garantuar pagat e punëtorëve tanë”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se protesta e paralajmëruar për datën 6 gusht mbetet e pashmangshme.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të jenë të pranishëm dhe të bashkuar në këtë protestë. për detajet e protestës së 6 gushtit, të cilën e kemi bërë publike edhe përmes konferencës për media disa ditë më parë, shumë shpejt do t’i bëjmë publike edhe pikat e veprimit dhe detajet organizative”, thuhet në reagim. /Telegrafi/