Profesionistja e burimeve njerëzore Arta Sherifi është e ftuara e radhës në emisionin "PodGo", me të cilën kemi diskutuar për punën që ajo bënë, sfidat në biznes, përgatitjen për intervistat e punës, si dhe kompaninë që ajo menaxhon.

"Jam bashkëthemeluese e kompanisë Recrutiva. Puna me këtë kompani nuk është fat, e as trashëgimi, por është prej përvojës sonë. Përveç përvojës së punës në këtë industri, kam edhe edukim pra jam edhe master i HR", tha Arta Sherifi.


- YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: ...

Pas biografisë së saj, kërkuam që Arta të na tregojë se si mund personat që kërkojnë punë, të arrijnë ta gjejnë të njëjtën.

"Kemi nivele të ndryshme të kandidatëve që kërkojnë punë. Nëse flasim për fillestarët, ka mënyra tjera. Por për kandidatët që kanë përvojë është mirë të njohën aftësitë e veta. Nëse kandidati merr informata të duhura edhe për kompaninë ku aplikojnë, si dhe të vendosin matës për përgjegjësitë që kërkojnë. Në momentin që e shohësh se je adekuat, është ok të aplikohet për atë punë. Gjithashtu e rëndësishme është krijimi i CV-së dhe CV-të të përshtaten për çdo punë, e jo të jetë e njëjta për të gjithë. Gjithashtu është e rëndësishme të përgatitemi për intervistat e punës", tha Arta Sherifi, e cila gjithashtu dha këshilla tjera për personat që kërkojnë punë.

Ndërsa sa i përket punës me rrogë të ulët, ajo tha se kandidatët pa punë ia vlen edhe të punojnë vullnetarisht.

"Sugjerimi im primar për ata pa përvojë, mos ta mendojnë që do të përfundojnë studimet dhe do të kërkojnë punë. Kërkimi i punës fillon shumë më herët. Përvojat si marrja pjesë në aktivitete të ndryshme, ndihmon në kërkimin e punës në të ardhmen. Them që është më mirë të fillosh kudo, por jo duke bërë kompromise me parimet individuale", tha Arta Sherifi.

Kurse në lidhje me ikjen e të rinjve nga vendi, tha se si shoqëri duhet ta krijojmë atmosferën në mënyrë që ata që largohen, të kenë kushte për t'u kthyer në vend.

"Është fenomen që e hasim çdo ditë, nuk është problem social, por edhe ekonomik. Mendoj që si shoqëri ta krijojmë atmosferën që ata që largohen të mund edhe të kthehen. Pra të krijojmë mundësi që ata që largohen një ditë të thonë se edhe do të kthehen. Është e rëndësishme që ata që kanë përvojë t'u japim hapësirë edhe këtu. Kompanitë duhet të investojnë tek kandidatët dhe të rrisin ata", tha Arta Sherifi.

Në fund ajo dha edhe këshilla se si të drejtojmë automjetet, duke bërë thirrje që të shmanget përdorimi i telefonit./Telegrafi/