Të hënën është bërë prezantimi i projektit fitues për restaurimin dhe revitalizimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ky projekt po cilësohet si ndër projektet më të mëdha nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili do përkushtim të jashtëzakonshëm, transmeton Telegrafi.


Projekti fitues parasheh që Kompleksi të shtrihet në një hapësirë 450 hektarëshe në fshatin Prekaz.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka pohuar se sakrifica e familjes Jashari ka qenë dhe mbetet shembull përherë.

“Obligim i yni dhe nder njëkohësisht. Trimëria e fisnikëria, heroizmi e sakrifica e familjes Jashari kanë qenë e do të mbesin shembull përherë”, ka pohuar Çeku.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar si një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të vendit tonë.

“E mu për këtë, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare e konceptuar si “Oda e kombit”. Vetëmohimi, sakrifica e vetëflijimi i familjes Jashari janë gurëthemel i çlirimit të vendit tonë dhe për më tepër janë shembull botëror i flijimit për liri”, u shpreh Kurti ditën e hënë.

454457709 990349162886445 6790660898741120733 n 1

Ndryshe, në bazë të prezantimit të projektit, kullat do të vendosen apo ruhen nën xham transparent në mënyrë që nga vizitorët të shihen më qartë.

454280258 990349216219773 7388076976507095838 n

Në projekt shihet që do të ketë muze kombëtar brenda kompleksit, librari, ekspozitë të përhershme, hapësira për vizitorë, pjesa për fëmijë ku do të mësojnë më shumë për historinë e Kosovës, arkiv, hapësirë për trajnime dhe një tjetër për konferenca, restorant, hapësira të gjelbra për agrikulturë, amfiteatër etj.

453409325 990349296219765 7537965149972702142 n

Një tjetër element që përfshihet në kompleks është “Kulla e Ujit”.

Konsorciumi i kompanive përbëhet nga “Gerber Architekten International GmbH (Gjermani) dhe Donald Insall Associates & Barker Langham (Mbretëri e Bashkuar).

454239952 990349169553111 6585251388551283804 n

Më shumë se një vit nga shpallja e tenderit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpalli fituesin e kontratës gati 8 milionë euro për zhvillimin e masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

454063240 990349272886434 4714487179405941007 n

Vlera e kontratës është 7 milionë e 890 mijë euro, gati 5 milionë më shumë sesa vlera e parashikuar.

Shtëpitë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” kanë mbetur në gjendjen e njëjtë që nga viti 2000 kur ishte bërë konservimi emergjent i tyre. /Telegrafi/