LAJMI I FUNDIT:

Si ta bëni ujin e orizit dhe të përmirësoni shëndetin e flokëve dhe të lëkurës

Si ta bëni ujin e orizit dhe të përmirësoni shëndetin e flokëve dhe të lëkurës

Sekreti i lëkurës dhe i flokëve të bukur mbase gjendet në orizin të cilin e zieni në tenxhere

Më shumë energji, lëkurë të shëndetshme dhe flokë të shkëlqyeshme janë vetëm disa nga përparësitë të cilat mund t’i keni, nëse e provoni këtë recetë.


Dhe është aq e thjeshtë sa që mund ta bëni edhe vetë, transmeton Telegrafi.

Uji i orizit është receta popullore kineze që gjen përdorim të gjerë në rutinën e kujdesit të lëkurës, por më poshtë do të tregojmë se si mund ta përdorni edhe për flokët.

Uji i orizit është i pasur në aminoacide, vitamina B, E, minerale dhe antioksidantë!

Me përdorimin e rregullt të ujit të orizit, ju do të shihni sesa më të butë, e të fortë njëkohësisht do të jenë flokët tuaj.

Receta e përgatitjes së ujit të orizit është shumë e thjeshtë nga se mendoni.

Ajo që duhet të bëni është thjesht të pastroni një filxhan me oriz organik me ujë të pastër dhe pastaj zieni orizin në një tenxhere pa kapak me tre filxhanë me ujë. Pas zierjes, e filtroni dhe e qitni ujin në një enë të pastër.

Lëreni ujin që të ftohet e më pas e qitni në një enë me kapak dhe e lini në frigorifer për një javë. I tretni 1 ose 2 lugë me këtë lëng në 1 filxhan me ujë. E përzini për të fituar një përzierje që i ngjan qumështit.

Përdoreni këtë përzierje sipas nevojës në regjimin tuaj të bukurisë

Ujë tonik

Uji i orizit mund të zvogëlojë poret, mbron lëkurën nga rrezet UV dhe pastron lëkurën nga qelizat e vdekura.

Lyeni një top pambuku në ujin e orizit dhe aplikojeni direkt në fytyrën tuaj. Sigurohuni që fytyrën ta keni të pastër nga grimi pasi ky produkt duhet të jetë i fundit që duhet vendosur në lëkurë.

Uji i orizit mund të zbehë gjithashtu shenjat e akneve. Ndonëse ky ujë nuk trajton aknet apo puçrrat, ka vetinë t’i rikthejë lëkurës pigmentin natyral duke zbehur skuqjen.

1. Përmirëson shëndetin e flokëve

▪ Pas larjes së flokëve me shampon, flokët i trajtoni me ujë orizi të tretur në ujë të thjeshtë.
▪ Duke i përdorur majat e gishtërinjve, i bëni masazh të lehtë lëkurës së kokës për 10 minuta.
▪ Shpëlajini flokët mirë me ujë.
▪ Përsëriteni këtë trajtim 2 ose 3 herë në javë.

Për ushqim shtesë, mund t’i shtoni disa pika të vajrave aromatike, si të rozmarinës ose livandës në ujë të orizit para përdorimit. Në të gjithashtu mund të shtoni edhe çaj të gjelbër.

Nëse përdorni ujë orizi të fermentuar, sigurohuni që ta tretni atë para se t’i shpëlani flokët me të.

2. Zbut flokët e elektrizuar

▪ I pastroni flokët me shampon e më pas i shpëlani mirë me ujë të ftohtë.
▪ E përzini një pjesë me ujë të fermentuar orizi me tri pjesë të ujit.
▪ Përdoreni këtë përzierje për shpëlarjen përfundimtare.
▪ Përsëriteni këtë trajtim një ose dy herë në javë për rezultate më të mira.

3. Përmirëson ngjyrën natyrale të lëkurës

▪ Zhyteni një copë pambuku në ujë të tretur të orizit.
▪ Aplikojeni në fytyrë të pastër.
▪ Lëreni që të qëndrojë 5 deri në 10 minuta.
▪ Pastaj, me lëvizje qarkore i bëni masazh lëkurës për disa minuta.
▪ Shpëlajeni me ujë të vakët.
▪ Bëjeni këtë së paku një herë në ditë për përmirësim të ngjyrës natyrale të lëkurës.

4. E bën lëkurën të butë

▪ Treteni ujin e orizit me ujë të ftohtë në raport prej 1:2.
▪ Zhyteni një peshqir të vogël në këtë përzierje.
▪ Vendoseni këtë peshqir në fytyrë të pastër dhe lëreni që të qëndrojë për 15 ose më shumë minuta.
▪ Lajeni fytyrën ngadalë me ujin e mbetur të orizit, për të pasur lëkurë të butë e të lëmuar.
▪ Në fund shpëlajeni fytyrën me ujë të thjeshtë.
▪ Përsëriteni këtë trajtim një herë në ditë.

/Telegrafi/