Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialistja e Biokimisë Klinike, Nerxhivane Gërguri-Retkoceri, foli për rëndësinë thelbësore që ka ushqimi në funksionimin e organizmit dhe ndikimin që sjellin zakonet ushqimore moderne te gjendja jonë shëndetësore.

Sipas saj, ushqimi është një faktor kyç në metabolizmin e proteinave, karbohidrateve dhe lipideve — procese pa të cilat organizmi nuk mund të funksionojë si duhet.




Por, me rritjen e konsumit të ushqimeve të shpejta dhe me prirjen e të rinjve për të ngrënë më shpesh jashtë sesa në shtëpi, po vërehen gjithnjë e më shumë çrregullime metabolike.

Gërguri-Retkoceri theksoi se modernizimi i mënyrës së të ushqyerit po ndikon veçanërisht në metabolizmin e lipideve dhe në rritjen e rasteve me çrregullime të metabolizmit të glukozës.

Një prej faktorëve shqetësues është konsumi i tepërt i pijeve energjike.

“Pijet energjike të cilat preferohen prej të rinjve përmbajnë një sasi shumë të lartë të glukozës. Dhe në këtë mënyrë, kur kemi një nivel të lartë të glukozës në gjak, kjo menjëherë e rrit stimulimin e insulinës prej pankreasit, që çon deri në një insuficiencë pankreatike nëse merren për një kohë të gjatë. Pas një kohe edhe prodhimi i insulinës vjen e pakësohet ose shfaqet rezistenca ndaj insulinës”, u shpreh ajo.

Specialistja paralajmëroi se përdorimi i vazhdueshëm i ushqimeve të përpunuara, pijeve të ëmbla dhe energjikeve mund të rrisë rrezikun për diabet, çrregullime hormonale dhe probleme kardiovaskulare.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:

- YouTube www.youtube.com