Kosova e nis sonte aventurën e saj në kualifikueset për Kupën e Botës 2026, ku “Dardanët” do të përballen me Zvicrën në St. Jakob-Park të Bazelit.

Është vetëm ndeshja e parë nga gjashtë që ekipi i përzgjedhur nga Franco Foda duhet të zhvillojë në grup, por që nga tani nis rrugëtimi drejt ëndrrës së madhe – pjesëmarrjes në Botërorin e parë në historinë e saj.


Si mund të kualifikohet drejtpërdrejt Kosova?

Kosova gjendet në një grup me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Secili ekip e zhvillon nga dy përballje me njëri-tjetrin. Vetëm fituesi i grupit e siguron direkt biletën për Botërorin në Amerikën e Veriut (SHBA, Kanada dhe Meksikë).

Opsioni i dytë: Playoff-et

Nëse Kosova e mbyll grupin në vendin e dytë, atëherë do të ketë edhe një shans tjetër përmes fazës “playoff”. Kjo fazë do të përfshijë 12 skuadrat e dyta të grupeve plus 4 ekipe nga Liga e Kombeve.

Formati është me mini-turne: gjysmëfinale dhe finale brenda muajit mars 2026. Katër fituesit e këtyre mini-turneve do të kualifikohen për Kupën e Botës.

Nëse “Dardanët” përfundojnë në vendin e tretë ose të katërt, ëndrra për Kampionatin Botërorin përfundon këtu.

Kupa e Botës 2026

Kupa e Botës e ardhshme do të jetë më e madhja në histori: 48 ekipe pjesëmarrëse, të ndara në 12 grupe me nga katër ekipe.

Nga këto, kalojnë më tej dy vendet e para të secilit grup dhe tetë skuadrat më të mira të vendeve të treta. Turneu nis më 9 qershor 2026 dhe finalja do të zhvillohet më 19 korrik 2026. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app