Në rrjetet sociale është shfaqur një video që e ashpërson edhe më tej çështjen e sigurisë së lundrimit në Detin e Zi dhe marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë.

Videoja, për të cilën thuhet se është xhiruar në portin e Odesës, tregon momentin e një sulmi rus me dron të tipit Geran, teksa mjeti fluturues i afrohet ngadalë portit, ndërsa e gjithë skena filmohet nga anëtarë të ekuipazheve të anijeve të ankoruara aty pranë.


Në pamje shihet qartë se si droni fluturon drejt zonës portuale, ndërsa në sfond dëgjohen reagimet e ekuipazheve që ndjekin afrimin e tij. Pikërisht kjo dëshmi vizuale e sulmit në një moment kur në port ndodheshin edhe anije në pronësi turke i ka dhënë gjithë rastit një peshë shtesë politike, veçanërisht në kontekstin e rolit të Turqisë dhe bisedave personale të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan me homologun rus, Vladimir Putin.

Publikimi i videos vjen pas lajmeve se Rusia, në sulme të koordinuara me dronë dhe raketa balistike, ka goditur dy porte ukrainase në rajonin e Odesës, duke dëmtuar tre anije në pronësi turke, përfshirë edhe një mjet lundrues që transportonte furnizime ushqimore. Sulmet u kryen vetëm disa ditë pasi Moska kërcënoi se do ta “shkëpusë praktikisht Ukrainën nga deti”, si përgjigje ndaj sulmeve ukrainase me dronë detarë ndaj cisternave ruse të të ashtuquajturës flotë në hije, të cilat Kievi i konsideron burim kyç financimi të luftës ruse.

Një peshë të veçantë gjithë ngjarjes i jep fakti se sulmi ndodhi vetëm disa orë pas bisedës mes Erdoganit dhe Putinit, në të cilën presidenti turk shprehu qëndrimin se një armëpushim i kufizuar, që do të përfshinte infrastrukturën energjetike dhe portet, mund të ishte një hap i dobishëm drejt uljes së tensioneve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky publikoi fotografi nga porti i Chornomorskyt, ku shihet një zjarr i madh në njërën prej anijeve të goditura, ndërsa ekipet e zjarrfikësve përpiqeshin ta vinin zjarrin nën kontroll. Ai theksoi se sulmet konfirmojnë se Moska nuk tregon gatishmëri për të shfrytëzuar momentin për diplomaci, por vazhdon luftën me synimin për të cenuar jetën normale në Ukrainë.

Zëdhënësi i marinës ukrainase konfirmoi se në sulme janë dëmtuar tre anije, të gjitha në pronësi turke, pa dhënë detaje të mëtejshme teknike. Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë gjithashtu konfirmoi se në portin e Chornomorskyt është shkaktuar dëm material, duke theksuar se nuk ka informacion për shtetas turq të lënduar.

Ankaraja edhe një herë bëri thirrje për arritjen e një marrëveshjeje që do të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm në Detin e Zi, veçanërisht sa i përket sigurisë së lundrimit dhe mbrojtjes së infrastrukturës energjetike dhe portuale. Për Ukrainën, tri portet e mëdha të Detit të Zi në rajonin e Odesës përbëjnë një arterie kyçe ekonomike, pasi vendi renditet ndër eksportuesit më të mëdhenj botërorë të drithërave dhe mallrave të tjera. /Telegrafi/