LAJMI I FUNDIT:
Gjilani 1° cloudy

Shyqeri Sahatçiu, orëndreqësi gjilanas që ia “devijoi” kahjen akrepave të orës

Shyqeri Sahatçiu, orëndreqësi gjilanas që ia “devijoi” kahjen akrepave të orës

Që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore e këtej, qyteti i Gjilanit ishte “vërshuar” nga zanatlinj të ndryshëm, si: këpucëtarë, teneqepunues, qeleshepunues, orëndreqës e shumë veprimtari tjera të ngjashme.  

Sipas tregimeve të qytetarëve të ndryshëm të moshës së mesme deri në vitet 90-të të shek. XX-të qendra e qytetit përgjatë dy anëve të rrugëve, ishte përplot lokale e dyqane që zhvillonin veprimtari të ndryshme artizanale. Shumë nga to tashmë janë zhdukur, ose janë në zhdukje e sipër, ndërsa me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, lokalet e dikurshme janë shndërruar në biznese që ofrojnë mallra të kërkuara në tregun bashkëkohor.

Njëra nga veprimtaritë e së kaluarës, mjeshtëria e orëve, në këtë qytet i ka përballuar stuhisë së kohës, përkundër zhvillimeve të hovshme ndër vite e dekada, falë mjeshtrit të njohur gjilanas, Shyqeri Sahatçiu, i cili zanatin e ka trashëguar nga familjarët, për ta ushtruar më shumë se 60 vjet!


Gjatë kësaj periudhe, ai ka përpunuar, riparuar e pastruar dhjetëra, mbase edhe qindra e mijëra orë të ndryshme të të gjitha llojeve.

Në një bisedë enkas për Telegrafi.com, Shyqeri Sahatçiu, tregoi se pasioni për orët e ka tërhequr nga fëmijëria e hershme.

“Që nga mosha 8-vjeçare jam marrë me këtë punë. Fillimisht e shiqoja një të afërm, i cili merrej me këtë zanat, të cilin zanat më pas e mësova edhe unë nga kureshtja. Tani po bëhen mbi 60-vjet që merrem aktivisht me këtë punë. Tashmë kam mbushur 77-vjet jetë dhe mendoj që akoma do të vazhdoj të merrem me këtë zanat, për aq kohë sa do të kem mundësi”, shprehet ai.

Në dyqanin e tij thotë se kanë defiluar shumë myshterinj, në mesin e të cilëve ka pasur edhe të tillë që kanë sjell orë të shtrenjta për t’i rregulluar, sidomos bashkatdhetarë të cilët në periudha të hershme kanë shkuar për të punuar në botën e jashtme, ndërsa kanë ardhur zakonisht në pushime sezonale në vendlindje.

Puna e përditshme përgjatë viteve e dekadave e ka bërë shumë të njohur në mesin e bashkëvendësve, ndërsa qytetarët e njohin si mjeshtër që ka arritur të punoj një orë të veçantë, për të cilën tregon se nuk e ka pasur të vështirë ta krijoj pasi motivin e ka pasur të madh për ta realizuar idenë.

Në vitet 80-të të shekullit XX-të, ka ndërtuar një orë, e cila për dallim nga orët e zakonshme, akrepat i lëvizin në anën e kundërt, gjegjësisht meqë të tre akrepat tregon rrjedhën e saktë të kohës, njësoj sikurse të gjitha orët tjera.

Ndonëse tregon në detaje “patentën” e “zbulimit” të tij, Shyqeri Sahatçiu nuk dëshiron të flas për fshehtësitë që e karakterizojnë “patentën” e tij!

Fshehtësia nuk tregohet! – Është paksa problematike sepse duhen tjera kombinime në krahasim me orët e zakonshme! – Ora është normale, si çdo orë tjetër, përveç që akrepat rrotullohen në anën e kundërt në krahasim me orët e zakonshme – pra në anë e majtë… njëherit edhe numrat nga 1 deri në 12  janë të vendosur në anën e kundërt, porse kohën e tregojnë në rregull dhe me saktësi!”, shton ai.

Përveç rregullimit të orëve, në lokalin e tij mban edhe orë të ndryshme, të cilat herë-herë ua shet myshterinjve, mirëpo fokusi kryesor i tij ka qenë gjithnjë dhe vazhdon të jetë, mjeshtëria. Në mesin e shumë orëve që i ka të ekspozuara në lokal, mund të hasen edhe orë të murit, të cilat dikur kanë qenë pjesë mbase e mureve të shtëpive të ndryshme, e të cilat ‘fshehin’ tregime të rralla, ndër to, ndonjëra e ndërtuar më shumë se një shekull më parë!

“Këtu ka edhe orë më të vjetra sesa koha e punës sime si mjeshtër…  Kjo p.sh., (tregon njërën nga orët e varura në mur), është mjaft e vjetër, sikurse edhe ajo ora tjetër… . Të gjitha orët këtu, janë më të vjetra se 60-vjet! – Ora më e vjetër, është ajo atje, e cila ka mbi 150 vjet!”, tregon me entuziazmin e zakonshëm që e spikatë edhe në mjedise shoqërore në qytet e gjetiu.

Në punën e tij të përditshme mbi 60-vjeçare, tregon se ka takuar admirues të ndryshëm të orëve të shtrenjta. Sipas tij, ka nga ata që kërkojnë orë bashkëkohore nga marka të njohura, si “Zenit”, “Omega”, “Schaffhausen” etj, ndërsa ka të tjerë myshterinj që kanë kërkesa të ndryshme, kryesisht orë automatike dhe me bateri.

Nami i tij i mirë dhe përkushtimi ndaj zanatit të cilit i ka kushtuar pothuajse tërë jetën deri më tani, është përcjell në tregime të ndryshme nga bashkatdhetarë të shumtë me origjinë nga Anamoravës, të cilët sidomos viteve 80-të e 90-të të shek. XX-të, kanë emigruar në vende të ndryshme evropiane, kryesisht në Zvicër e Gjermani.

Shumë nga ta, sidomos gjatë periudhës së pushimeve, ndër vite kanë sjell orë të ndryshme për t’i rregulluar pikërisht te mjeshtri Shyqeri Sahatçiu në Gjilan, të cilat orë, thotë se zakonisht kanë qenë të shtrenjta për standardin tonë të jetesës.

“Po, më kanë sjell orë të shtrenjta për t’ua rregulluar… “Rolex”, Breitling” etj. Çmimet e tyre janë marramendëse, deri në 8 mijë euro, madje edhe më shumë. Ka pasur orë që kanë kushtuar mbi 10 mijë franga, e më shtrenjtë se kaq. – P.sh., një myshteri e ka sjell një orë që ka kushtuar 49 mijë franga! – Ishte një bashkatdhetar i yni që jetonte asokohe në Zvicër. – Me faturë e ka sjell! –

Ato orë të shtrenjta është problem me i marrë me i punu secili mjeshtër, pasi… nëse e prishë do t’i kushtonte, prandaj hezitojnë!”, tregon ai, ndërsa thekson se ai vet nuk ka hezituar asnjëherë t’i rregulloj edhe orët e shtrenjta, i bindur se ka arritur me kohë të përsosë mjeshtërinë deri në atë masë, sa t’i rregulloj me lehtësi të gjitha llojet e orëve!”.

“E kam aftësuar veten!… kam punuar unë para 50 vjetëve edhe me orë të vjetra, me orë mekanike… tash nuk kam problem… i kam ‘të incizuara’ në kokë! … Si të filloj t’i rregulloj, në çast e kuptoj se ku është defekti dhe nuk do të ketë problem”, shprehet ai.

Puna e tij e gjatë në këtë zanat e ka mësuar të njoh përveç markave të njohura të orëve edhe vendet ku ato prodhohen, si dhe specifikat tjera që i karakterizojnë apo dallojnë.

Zvicra është e para nga të gjitha shtetet sa i përket atyre vendeve që prodhojnë orë cilësore, pastaj vjen Japonia, sikurse edhe  Gjermania ku gjithashtu punohen orë të mira e kualitative. Ka edhe shtete tjera që dallohen me orët jashtëzakonisht të mira, siç është p.sh., ShBA,. Por, orët që prodhohen atje janë tjera! Ka dhe orë të tilla, për të cilat vetëm kemi dëgjuar, sepse, ‘dorën në zemër’, nuk kanë ardhur kurrë tek ne! – Ato janë orë ‘extra’, dhe shumë të shtrenjta. Punohen enkas, sipas kërkesave të caktuara të klientëve, prandaj janë aq të rralla”, thekson më tej mjeshtri i njohur gjilanas i orëve, Shyqeri Sahatçiu.

Në fund të bisedës ai thotë se është mjaft i kënaqur me zanatin që e ka ushtruar ndër vite e dekada, madje, ndërsa thekson faktin se kënaqësia e tij është dyfish më e madhe pasi këtë zanat që e ka trashëguar nga familjarët, tashmë ia ka mësuar djalit të tij, i cili e ka zotëruar mjaft mirë dhe po e punon me përkushtim e pasion. /Xhemail Veseli/

Në trend

Më shumë
Nga Suedia në BBVK: Vëllai i Xhenetës vjen me urgjencë në Kosovë

Nga Suedia në BBVK: Vëllai i Xhenetës vjen me urgjencë në Kosovë

Magazina
Huliganëve serbë u dështon keq plani për ndeshjen Rumani-Kosovë

Huliganëve serbë u dështon keq plani për ndeshjen Rumani-Kosovë

Përfaqësuesja e Kosovës
Autoritetet zvicerane dëshpërojnë huliganët serbë – ua marrin flamujt provokativ nga dora

Autoritetet zvicerane dëshpërojnë huliganët serbë – ua marrin flamujt provokativ nga dora

Ndërkombëtare
Scholz telefonoi Putinin, reagon ashpër Zelensky: Është hapur kutia e Pandorës

Scholz telefonoi Putinin, reagon ashpër Zelensky: Është hapur kutia e Pandorës

Evropa
Drenusha mbi trashëgiminë familjare: Babai në testament e ka lënë që pasuria të ndahet në mënyrë të barabartë

Drenusha mbi trashëgiminë familjare: Babai në testament e ka lënë që pasuria të ndahet në mënyrë të barabartë

Magazina
Zhvillime dramatike në Bejrut - regjistrohet momenti kur raketa izraelite goditi një ndërtesë

Zhvillime dramatike në Bejrut - regjistrohet momenti kur raketa izraelite goditi një ndërtesë

Azia
Kalo në kategori