LAJMI I FUNDIT:

Shtrenjtimi i rrymës për bizneset, Rafuna: Do të ketë efekt zinxhiror deri te konsumatori

Shtrenjtimi i rrymës për bizneset, Rafuna: Do të ketë efekt zinxhiror deri te konsumatori

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka marrë vendim që prej 01.06.2025, bizneset në Kosovë të cilat i kanë mbi 50 të punësuar dhe mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Vendimi parasheh që bizneset e mesme dhe të mëdha nuk do të mund të furnizohen me rrymë nga KESCO me çmimin e rregulluar por do të kalojnë në treg të lirë të energjisë elektrike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se ky vendim mund të ketë efekt zinxhiror. Sipas tij, ZRrE dhe institucionet tjera nuk janë konsultuar paraprakisht me komunitetin e biznesit.


“Biznesi e ka pritë me shqetësim [vendimin]. E para- nuk ka pasur një konsultim më të hershëm me bizneset se sa janë të përgatitura dhe kur është koha më e përshtatshme me e implementu”, ka thënë Rafuna në KallxoPërnime.

“Tani, brenda dy-tre muajve i kërkohet biznesit që prej 1 qershorit me kalu në tregun e hapur. Biznesi e ka prit me shqetësim. Ne si Odë Ekonomike këtë javë i kemi ftuar me i taku, por me kërkesë të ZRrE, sepse i kemi njoftuar edhe ata, e kemi lënë të hënën të takohemi dhe aty do t’i diskutojmë shqetësimet”, deklaroi ai.

Sipas Rafunës, efektet do të ndihen edhe në prodhim por edhe në ngritje të çmimit të produkteve.

“Ne ende nuk e kemi një stabilizim me furnizim të energjisë elektrike dhe frika është që çmimi do të jetë shumë më i lartë se që është tani. Nëse çmimi është më i lartë, do të ketë efekt zinxhiror deri te konsumatori, sepse produkti do të jetë më i shtrenjtë. Sfida tjetër, në tregun e huaj, produkti jonë nuk do të jetë konkurrent për shkak të çmimit”, ka vlerësuar i pari i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Krejt kjo mund të ndikojë që të kemi ulje të prodhimit dhe të kemi lëvizje të biznesit dhe investimeve, sepse çmimi i energjisë elektrike është me rëndësi. Kërkesa jonë ka qenë që të ulemi së bashku e ta shohim kur është koha së bashku ta imlimentojmë vendimin” – tha ai.

Në njoftimin zyrtar të ZRrE-së, thuhet se bizneset duhet të paraqesin pranë KESCO-s dëshmi ku tregojnë se kanë qarkullim të ulët se 10 milionë euro në vit dhe kanë më pak se 50 punëtorë, për t’u furnizuar me energji nga kjo kompani energjetike.

“Si pjesë e këtij procesi, ZRRE ka udhëzuar KESCO-n si furnizues i shërbimit universal të identifikojë konsumatorët familjarë dhe ata jo-familjarë të cilët e gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, ndërsa ata që nuk plotësojnë kriteret e të drejtës së shërbimit universal, të dalin në treg të lirë, duke filluar nga 1 qershori 2025. Pra konsumatorët jo familjar duhet të paraqesin pranë KESCO-s dëshmitë nëse përmbushin kriteret e furnizimit me shërbim universal”, thuhej në njoftim.

“Për më tepër, ZRRE do të monitorojë çdo hap të këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe për të garantuar që të gjitha palët e përfshira të respektojnë normat dhe standardet ligjore në fuqi”, theksonte njoftimi i ZRrE-së. /Kallxo.com/