Shqiptarët e harruar të Velesit
Shumë pak njerëz nga ne kanë informacione për gjendjen e një komuniteti jo të vogël shqiptarësh që jetojnë në pjesën qendore të Maqedonisë, në rajonin e Velesit.
Për herë të parë këta shqiptarë i pata vizituar diku para 10 viteve, në rolin e gazetarit, gjatë një parakalimi politikanësh në një fushatë zgjedhore, ku me gojën plotë u premtohej se si do të ndërtoheshin rrugët, shkollat... Dhe, tash pas 10 vitesh kur më ra rasti sërish t’i vizitoj, pashë gati se të njejtën gjendje, mjeruese... deri në dëshpërim.
Tendencat asimiluese
Edhe pas 20 vjet demokracie, ende fshatra të tëra shqiptarësh nuk kishin arritur të bëjnë kuadrot e veta së paku për të udhëhequr procesin edukativo-arsimor nëpër shkollat fillore. Dhjetëra mësues, arsimtarë e pedagogë, kryesisht nga rajoni i Kumanovës, për çdo javë udhëtojnë nga 200 kilometra në të dy drejtimet, për të shpërndarë dritën e diturisë në këto vise të harruara shqiptarësh.
Këtu vërehej fort mirë se thundrra e pushtuesit dhe tendencat e tij asimiluese karshi shqiptarëve, kishin lënë gjurmë të thella. Deri vonë, në shumicën e shkollave fillore ishte mësuar vetëm se në gjuhën maqedonase, derisa kishin ardhur arsimdashësit nga viset e tjera shqiptare. Shkollë të mesme shqipe nuk pati deri vjet, kur me njëqind mundime u arrit që të hapet një paralele shqipe. Sivjet ishin bërë dy. Shqiptarët e Velesit këtë e vlerësonin si një arritje të madhe, meqë deri më tani, një numër shumë simbolik i nxënësve kishin arritur që vazhdonin shkollimin e mesëm kryesisht në Shkup dhe qendrat tjera shqiptare të Maqedonisë. Por megjithatë, shumë të paktë ishin ata që vazhdonin studimet universitare, për çka kishte më së shumti nevojë.
Gjatë kontaktit me disa shokë e miq, duke shkëmbyer informacione për gjendjen e kësaj popullate shqiptare, mësova një gjë të hidhur... Edhe ata pak shqiptarë që po kryekan shkolla të larta – fakultete, dikush po kujdeseka menjëherë që ata të gjejnë punë nëpër Shkup e gjetiu, me qëllim që të mos kthehen kurrë në vendlindje e të punojnë për perspektivën e vendit të tyre, i cili tani ka më së shumti nevojë! U shokova... Thashë me vete, se me të vërtetë, armiqtë e shqiptarëve edhe në këtë kohë gjejnë hapësirë dhe metoda për të manipuluar me shqiptarët që të mos mund t’i çelin sytë kurrë!
Partitë të angazhohen
Edhepse traditat fetare islame mundoheshin t’i ruajnë me fanatizëm, për më keq, ata ende nuk kishin krijuar as kuadrot e veta fetare. Për shembull, në fshatin Jabollçisht i Epërm, disa vite me radhë shërbente një hoxhë nga fshati Mateç i rrethinës së Kumanovës.
Fshatrat Jabollçishtë i Epërm, Jabollçishtë i Poshtëm, Buzallakovë, Vranovc i Epërm, Koçillarë, Slivnik, etj., përbënin një tërësi të veçantë etnologjike shqiptare. Ata kishin mjaft dallime dhe veçanti në aspekt të gjuhës, veshjeve, sjelljeve, që besoj se janë me interes për studjuesit e folklorit, dokeve e zakoneve.
Por, për t’ua përmirësuar kushtet këtyre banorëve dhe për t’ua bërë atë më të lehtë për jetesë, duhet që të angazhohen më tepër partitë politike shqiptare, të cilat nuk do të duhet të kujtohen në ta vetëm se gjatë periudhave të zgjedhjeve.
Është koha e fundit që të fillojnë më seriozisht të mendojnë për këta shqiptarë të lënë nën mëshirën e kohës. Duhet të investohet më shumë në shkollimin e tyre, në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, në stimulimin e bujqësisë, në ruajtjen e karakteristikave etnike, etj.
Shqiptarët e harruar të Velesit, Krushevës, Manastirit, Pilepit, kanë nevojë për një vëmendje më të madhe të të gjithë neve. Ata janë tanët dhe të tillë do të mbesin...
sevdaildemiri@yahoo.com










































