LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria në Bienale me “Hapësira zero”

Shqipëria në Bienale me “Hapësira zero”

Zgjidhet projekti fitues që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e XVI-të arkitekturës në Venecie. Tema e këtij edicioni është “Freespace” dhe përshkruan ndjenjën e humanizmit, në thelbin e agjendës së arkitekturës. Në fokus të projektit shqiptar, portat janë elementi, që do të shpjegojnë Tiranën e vjetër dhe moderne

Shqipëria zgjedh për t’u përfaqësuar në Bienalen e Arkitekturës me projektin “Hapësira zero”, të paraqitur nga Commonsense, studio/PRGBR Architektur Fablab, Tiranë.


Juria e përbërë nga Gëzim Qendro, Bekim Ramku, Simon Battisti, Adelina Greca dhe Arta Dollani e kanë konsideruar këtë projektin më bindës për prezantimin e Shqipërisë në Venecia. Sipas tyre, duke çuar një pjesë të mjedisit urban, që Tirana po humbet në procesin zgjerimit urban / rindërtimit në Venecia, përmbushen kriteret e këtij edicioni. Ekspozita çelet në datë 26 maj në Arsenale dhe Giardini në Venecia (Itali).

Koncepti i projektit “Hapësira zero” është si më poshtë:

Pasuria e ritualeve dhe metodologjive të traditave shpirtërore, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, i atribuon “portës” një simbologji të gjerë dhe të pasur me domethënie. Në kultura të ndryshme, akti i “kalimit të pragut”, ka pra domethënien e bashkimit me një botë të re, dhe njëkohësisht porta përfaqëson ndarjen dhe komunikimin e dy ambienteve, jo thjesht si mjet identifikues i kufijve të hapësirës ndërmjet një ambienti të brendshëm apo të jashtëm dhe anasjelltas, por edhe si kalim mes dy nivelesh: e njohura dhe e panjohura, hyjnorja dhe njerëzorja.

Është edhe për këtë arsye që kemi zgjedhur portat, si element për të shpjeguar Tiranën; atë të vjetër dhe atë moderne. Seria e dyerve e instaluar në “Hapësirën Zero” linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prezenca e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishëm kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit. E gjithë kjo, bazuar në iniciativën personale dhe kolektive, në një liri totale veprimi drejt modifikimit të katit përdhe nga një zonë krejtësisht private në një hapësirë pothuaj krejtësisht publike. Pa kompleksin e ruajtjes së identitetit apo të krijimit të një stili urbanistik, por thjesht në formimin e një stili jetese tashmë dukshëm veçori e patjetërsueshme e këtij qyteti. Duke hapur një derë, duke mbyllur një tjetër, duke transformuar dhe modeluar hapësirat, duke u adaptuar me ndryshimin konstant që dinamikat e kësaj mënyre jetësimi kërkojnë papushim. Dyer të hapura që tradicionalisht në mort dhe gëzim në Shqipëri ishin simbol i komunitetit të bashkuar rreth Njeriut.

“Freespace” interpretohet si çlirimi i hapësirës në nivelin zero, për të krijuar qytetin ku të gjithë i shërbejnë diçka dikujt. Nëpërmjet shërbimit të një kafeneje apo të një këpucari, berberi, rrobaqepësi apo kasapi, ky nivel, ashtu, shtruar, ngadalë por në një kaos që me evoluimin e tij spontan, ndryshe nga planifikimi tipik i territorit, ndryshe nga ndonjë model tjetër, ka krijuar qytetin ku hapësira publike ngjan me një media sociale fizike, me këmbë në tokë, në katin përdhes. “Hapësira Zero” në katin përdhe të qytetit, merr përsipër një rol social që mundësohet nga prania e kudondodhur e dyqaneve të vogla dhe shërbimeve të shumëllojshme brenda në qytet, si burime hapësinore në rezonance me bujarinë e dhuratave të natyrës. Qytetarët e Tiranës projektojnë jetët e tyre mes sigurisë së katit përdhes të qytetit ku ata lirshëm ndërveprojnë mes njëri tjetrit, kësisoj duke u lidhur ngushtësisht me territorin, i cili në rastin e një qyteti përkthehet me ambientet përreth banesave, në ‘’Hapësirën Zero’’. Pjesëmarrja aktive dhe sensi i komunitetit gjen vend, duke formëzuar jetesën në oportunitetet e ofruara në nivelin zero të qytetit.

Dyert e dyqaneve të Tiranës janë linja komunikimi. Nuk ndajnë të huajën nga e mbyllura e sigurt, nuk ndajnë pra “kaosin” nga “kozmosi”. Në Tiranë portat janë hapësira të kthyera në zgjatime që organizojnë urbanistikën. Pasuri e një kulture antike e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun.

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
KATËR GJËRA

KATËR GJËRA

Poezi
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
DREJTËSIA!

DREJTËSIA!

Fjala+
DUART E NËNËS

DUART E NËNËS

Poezi
Kalo në kategori