BE shpreh shqetësim për shkeljen e standardeve në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri

Bashkimi Evropian ka reaguar zyrtarisht lidhur me procesin zgjedhor të 11 majit në Shqipëri, duke shprehur shqetësim serioz për shkeljen e standardeve zgjedhore dhe përdorimin e burimeve shtetërore nga Partia Socialiste, e cila doli forcë fituese në këto zgjedhje.
"Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve".
Në një deklaratë të përbashkët, Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, shprehën mbështetje për kritikat e ngritura më herët nga misioni i OSBE/ODIHR, duke theksuar se po e ndjekin me vëmendje zhvillimin e situatës deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
“Votimet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar, ku pjesëmarrësit nuk patën kushte të barabarta loje,” thuhet në deklaratë, duke iu referuar avantazhit të palës në pushtet përmes përdorimit të “levës institucionale dhe burimeve administrative”.
Deklarata nënvizon gjithashtu aludimet për presion mbi votuesit, sidomos në sektorin publik, si dhe probleme me funksionimin e lirë të medias, duke përforcuar kritikat e bëra publikisht një ditë më parë nga vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR.
Thirrje për hetime dhe dialog gjithëpërfshirës
Bashkimi Evropian kërkon hetim të plotë dhe të paanshëm për shkeljet e raportuara, duke e vlerësuar këtë si të vetmen rrugë për rikthimin e besimit te procesi zgjedhor.
“Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, që përfshin jo vetëm partitë politike, por edhe shoqërinë civile dhe komunitetet vendore.”
Deri tani, as qeveria shqiptare dhe as Partia Socialiste nuk kanë reaguar zyrtarisht mbi këto kritika, të cilat konsiderohen ndër më të fortat të shprehura nga partnerët ndërkombëtarë që nga zgjedhjet e vitit 2001.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse shqetësimet e ngritura nga BE dhe OSBE do të nxisin një reflektim institucional dhe politik në vend, apo nëse përplasja do të thellohet më tej.
Çfarë ndodhi në vitin 2001
Kritikat nga ndërkombëtarët për zgjedhjet e 11 majit janë më seriozet të shënuara në këtë drejtim që nga viti 2001, kur abuzimet masive të socialistëve në atë kohë i shtynë vëzhguesit të mos i njohin zgjedhjet si të rregullta. Një proces dialogu u imponua mbi qeverinë e kohës, proces që përfundoi me zgjedhjen e një presidenti konsensual në vitin 2003 dhe me reforma zgjedhore të cilat sollën tranzicionin relativisht paqësor të pushtetit në vitin 2005.
Ja deklarata e plotë:
Shqipëria: Deklaratë e përbashkët nga Përfaqësuesja e Lartë-Nënkryetarja Kallas dhe Komisionerja Kos mbi zgjedhjet parlamentare
Të dielën, populli i Shqipërisë ushtroi të drejtën e tij demokratike për të votuar, duke zgjedhur përfaqësuesit e tij në Kuvend. Ne u shprehim urimet tona të gjitha autoriteteve kompetente që siguruan zhvillimin e qetë të procesit në të gjithë vendin. Këto zgjedhje shënuan gjithashtu për herë të parë pjesëmarrjen e votuesve nga jashtë vendit.
Sipas gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, zgjedhjet u administruan në përgjithësi në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, dhe dita e votimit ishte e qetë dhe mirë e organizuar, pavarësisht disa mangësive.
Zgjedhjet në tërësi ishin konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale, dhe kandidatët në përgjithësi patën mundësi të bëjnë fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se u përballën me frikësime. Megjithatë, votimi u zhvillua në një mjedis shumë të polarizuar, në të cilin pjesëmarrësit nuk gëzonin kushte të barabarta gare. Për shkak të përdorimit të përhapur të burimeve administrative dhe ndikimit institucional, është e mundur që shumica në pushtet të ketë përfituar nga avantazhi i të qenit në detyrë.
U ngritën shumë akuza për ushtrim presioni ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik. Ne mirëpresim përpjekjet e koordinuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore, por është e nevojshme ndjekje e mëtejshme për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme për keqpërdorime zgjedhore. Pavarësia e medias vazhdon të jetë një çështje problematike, ndërsa mbulimi i fushatës elektorale nga media vazhdoi të favorizojë partitë kryesore, ndërkohë që transparenca e financimeve të fushatës mbeti e kufizuar.
Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të sigurojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit.
Ne e inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë ndjekjen e të gjitha reformave të kërkuara për anëtarësimin e saj të ardhshëm në BE, përfshirë miratimin e një reforme të mëtejshme zgjedhore që adreson të gjitha rekomandimet kryesore të ODIHR, si dhe ato që mbeten të pazbatuara nga zgjedhjet e mëparshme.
Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë është një objektiv strategjik kombëtar dhe një përpjekje gjithëpërfshirëse shoqërore, e cila gëzon mbështetje të fortë nga qytetarët shqiptarë. Ne ripërsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, pasi të gjitha partitë politike dhe të gjithë sektorët e shoqërisë – nga organizatat e shoqërisë civile te komunitetet lokale – kanë një rol për të luajtur në avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit të vendit në BE.










































