Mbi 400 të lënduar nga një shpërthim i madh në një port iranian të naftës - detaje dhe pamje

(E plotësuar) Një shpërthim i madh ka ndodhur në qytetin portual Bandar Abbas në Iranin jugperëndimor, duke plagosur 406 persona, tha një zëdhënës i shërbimeve të emergjencës.
Duke cituar shërbimet e emergjencës, media shtetërore iraniane Tasnim raportoi se shpërthimi shpërndau xhama dhe mbeturina në një zonë të gjerë, përcjell Telegrafi.
Nuk ka pasur konfirmim për ndonjë viktimë.
Një gazetar për Tasnim tha se shërbimet e emergjencës kishin mbërritur në vendngjarje, por "porti mbetet në një gjendje kaosi" dhe kishte dëme të rënda në shumë nga ndërtesat e tij.
Tasnim raportoi gjithashtu se një rezervuar karburanti kishte "shpërthyer për një arsye të panjohur" dhe operacionet e portit ishin pezulluar.
Transmetuesi shtetëror IRIB tha se shpërthimi ndodhi në zonën kimike dhe të squfurit të portit.
Shpërthim ‘masiv’ dhe zjarr në një qytet portual të Iranit – detaje dhe pamje
Një shpërthim dhe zjarr masiv ka goditur qytetin portual iranian Bandar Abbas, më shumë se 1,000 km në jug të kryeqytetit Teheran, raportojnë mediat shtetërore.
"Shpërthimi ndodhi në një pjesë të portit Shahid Rajaee dhe ne po e shuajmë zjarrin", citoi televizioni shtetëror zyrtarin e lartë të Administratës Portale dhe Detare të Hormozganit, Esmaeil Malekizadeh, të shtunën, përcjell Telegrafi.
Mehrdad Hassanzadeh, drejtor i organizatës së menaxhimit të krizave në provincën Hormozgan, i tha televizionit shtetëror se të plagosurit janë transferuar në mjedise mjekësore, por nuk tha se sa janë lënduar.
Ndërkohë disa pamje në mediat sociale treguan një re të madhe tymi të zi që ngrihej nga zona e shpërthimit.
Video të tjera në mediat sociale treguan ndërtesa dhe automjete të dëmtuara. Disa njerëz u panë gjithashtu rreth zonës duke kontrolluar dëmet në prona.
Porti Shahid Rajaei merret kryesisht me trafikun e kontejnerëve dhe gjithashtu ka rezervuarë nafte dhe objekte të tjera petrokimike. /Telegrafi/


















































