Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 për Kuvendin e Kosovës.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe. Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë kanë abstenuar.


Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka treguar se nga sa ulëse kanë fituar partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

Ai njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Ndërkaq, nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e KTDP-së në diskutim u përfshi edhe Sami Kurteshi nga LVV-ja.

Ai tha se zgjedhja e dy kandidatëve për deputet nga KTDP-ja është e jashtëligjshme dhe nuk do ta votojë.

Ndërsa kryetari i KQZ, Radoniqi tha se këtë çështje e kanë biseduar dhe më herët dhe palët mund të bëjnë ankesë pas shpalljes së rezultateve.

“Sa i përket çështjes së KTDP e kemi diskutuar këtë çështje, po ligji thotë, por sipas meje dhe Kushtetueses kemi të bëjmë me dy ulëse, ku në Kuvend kërkohet plotësimi i kuotës gjinore. Këtë çështje e ka trajtuar Kushtetuesja në një vendim të kaluar. Propozoj që pas shpalljes këtë çështje ta ushtroni me ankesë...pjesa tjetër i mbetet KTDP në PZAP”, tha Radoniqi. /Telegrafi/